Protesta greke hedh dyshime mbi tregtinë e armëve nga Serbia

July 19, 2022
min lexim

Greqia kërkon shpjegime shtesë për avionin me mina nga Serbia, që u rrëzua më 16 korrik në veri të territorit grek.

Athina i dërgoi notë proteste Beogradit – gjë që e komplikon rastin edhe më.

Autoritetet serbe ofruan të dhëna për ngarkesën në avionin ukrainas dhe për destinacionin e tij, por, sipas mediave greke, Athina do përgjigje nga Beogradi se pse nuk është informuar me kohë për atë që transportohej në avion.

Gazeta greke, Katimerini, shkruan se Greqia, me të njëjtën kërkesë, iu drejtua edhe autoriteteve të Ukrainës.

“Kjo mund të nënkuptojë se diçka nuk është në rregull, se mund të ketë diçka të dyshimtë në lidhje me atë transport”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikos Pelpas, korrespondent i shërbimit publik grek, ERT, nga Beogradi.

Vuçiq: Gjithçka është e pastër si loti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk është në dijeni për protestën greke dhe se Serbia nuk ka asgjë për të fshehur.

“Gjithçka është e pastër si loti. Të gjitha procedurat janë ndjekur. Ai avion bartte mina për Bangladeshin – gjë që u konfirmua nga Qeveria e tyre. Fatkeqësisht, ndodhi një aksident tragjik trafiku”, tha Vuçiq më 18 korrik.

Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, njoftoi më 17 korrik se avioni An-12 po transportonte 11.5 tonë mina stërvitore dhe ndezëse, nga Nishi në Bangladesh.

Stefanoviq tha se malli në fjalë është i kompanisë beogradase, Valir, dhe se është transportuar me avion në pronësi të kompanisë ukrainase, Meridian.

Gazetari i shërbimit publik grek, Nikos Pelpas, thotë se ka mundësi që Athina, gabimisht, të mos jetë informuar për ngarkesën e tillë.

“Mund të bëhet fjalë edhe për çështje më serioze. Le të themi se mallrat shkojnë në Bangladesh, por përdorues përfundimtar është dikush tjetër. Ose, edhe diçka tjetër po transportohej, përveç minave… Shumë pyetje lindin nëse përpiqeni t’i transportoni fshehurazi mallrat, përmes një vendi tjetër”, thotë Pelpas.

Ai shton se është sugjestive që rasti i rrëzimit të avionit An-12, ku humbën jetën të tetë anëtarët e ekuipazhit, trajtohet nga prokurori i Gjykatës së Lartë të Greqisë.

Kjo, sipas tij, flet edhe për seriozitetin e situatës, pasi i zakonshëm do të duhej të ishte juridiksioni lokal në Kavalla – qytetit grek pranë të cilit u rrëzua avioni.

Informacion zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë është se fluturimi në linjën Nish-Aman-Riad-Ahmedabad-Daka ka pasur leje të rregullt.

Stefanoviq: Mbështetje për Greqinë në hetime

Ministri Stefanoviq i mohoi spekulimet e disa mediave se avioni po transportonte armë në Ukrainë.

“Që nga viti 2016 nuk është dhënë asnjë leje për transportin e armëve nga Serbia në Ukrainë apo në Rusi”, tha Stefanoviq.

Ai shtoi se edhe në këtë rast Serbia, në vazhdimësi, ka respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe ka përmbushur obligimet ndërkombëtare.

“Në paqe, ne i mbështesim autoritetet greke, për të kryer një hetim të detajuar dhe për të informuar publikun për gjithçka”, tha Stefanoviq.

Vuçiq ka deklaruar më herët se Serbia nuk do të dërgojë armë në Ukrainë dhe se nuk do të lejojë transportimin e armëve në atë vend përmes territorit të Serbisë.

Serbia, e cila është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk u është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe ruan marrëdhënie tradicionalisht të ngushta me Moskën.

Ministria e Tregtisë e Serbisë, përgjegjëse për dhënien e licencave për eksportin e armëve dhe të pajisjeve ushtarake, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga viti 2014, Serbia nuk ka eksportuar armë në Ukrainë.

Kronologjia e incidentit

1. Më 16 korrik, një aeroplan mallrash i Ukrainës, që transportonte 11.5 tonë armë për në Bangladesh, u ngrit nga aeroporti i Nishit, në jug të Serbisë, rreth orës 18:40.

2. Avioni Antonov An-12 bartte pajisje ushtarake, të prodhuara në Serbi nga kompania Valir, përfshirë: mina e minahedhës.

3. Avioni u rrëzua në të njëjtën ditë, në orën 19:47, pranë qytetit Kavalla në Greqinë veriore – dy kilometra larg zonës së banueshme. Të tetë anëtarët e ekuipazhit vdiqën dhe të gjithë ishin ukrainas.

4. Dëshmitarët thanë se avioni u përfshi nga flakët dhe se ata dëgjuan shpërthime.

5. Rrëzimi i avionit u konfirmua edhe nga Flightradar.24 – një sistem i gjurmimit të avionëve në kohë reale – i cili deklaroi se “avioni i mallrave Meridian An-12BK u rrëzua pranë Kavallës, në Greqi, në rrugën nga Nishi për në Aman”.

6. Shkaku i rrëzimit nuk dihet ende. Gjithçka që dihet deri më tani, është se piloti raportoi probleme me motorin dhe u lejua të bënte ulje emergjente në Kavalla, por sinjali i avionit humbi menjëherë pas telefonatës, në orën 19:42.

7. Ndërkohë, Greqia i çon notë proteste Serbisë, sepse nuk ishte informuar me kohë për armët në aeroplanin ukrainas.

An-12 çoi para në Sarajevë

Avioni ukrainas, An-12, që u rrëzua të shtunën në Greqi, fluturoi ditë më parë për në Sarajevë, për të transportuar para për Bankën Qendrore të Bosnje e Hercegovinës.

“Ishte transport i zakonshëm i parave, për të cilin, sipas kontratës, përgjegjës është furnizuesi. Pasi që bëhet fjalë për transport të parave, të gjitha informatat tjera janë konfidenciale”, thanë nga Banka Qendrore e Bosnje e Hercegovinës për Radion Evropa e Lirë.

Siç thuhet në disa faqe të internetit, të specializuara për trafikun ajror, ai aeroplan – në ditët para incidentit – ka fluturuar nga Parisi në Sarajevë, nga Sarajeva në Beograd dhe më pas nga Beogradi në Ankara. Disa raportojnë se ai, më pas, është larguar nga Ankaraja për në Nish, nga ku ka marrë fluturimin për në Jordani, gjatë të cilit është rrëzuar.

Kompania ukrainase e transportit ajror, Meridian, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për më shumë detaje në lidhje me rrëzimin e avionit të saj në Greqinë veriore. As Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës nuk u përgjigj.

Hetimet nga autoritetet greke janë duke vazhduar, ndërsa nuk ka asnjë informacion zyrtar për shkakun e rrëzimit.

Gazetari grek, Pelpas, kujton se lajmi për notën e protestës nga Athina erdhi dy ditë pas aksidentit, gjegjësisht pasi partitë opozitare në Greqi e akuzuan Qeverinë e tyre se nuk ka dhënë informacion të mjaftueshëm për avionin e rrëzuar.

“Nuk besoj se publiku do t’i mësojë të gjitha detajet. Në lojë janë edhe politika, edhe marrëdhëniet ndërshtetërore, por është mirë të presim një shpjegim nga Beogradi”, thotë Pelpas.

Asgjë zyrtare nga Qeveria greke

Qeveria greke nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë rast, e as Ambasada greke në Beograd.

Ngjashëm edhe kompania Valir – mallrat e së cilës, sipas njoftimit të ministrit Stefanoviq, ishin në avionin që u rrëzua – nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për biznesin e saj dhe për këtë transport.

Valir, siç shihet në regjistrin shtetëror të bizneseve në Serbi, është themeluar në fund të vitit 2019.

Në vitin 2020, siç shihet nga raportet financiare, kompania ka pasur të ardhura rreth 55 milionë euro.

Të dhënat zyrtare tregojnë se drejtor i kompanisë Valir është Mlladen Bogdanoviq.

Beogradi: Nuk ka armë nga Serbia në Ukrainë

Viteve të fundit, Serbia, në disa raste, është lidhur me eksportin e armëve në Ukrainë. Hera e fundit ka qenë në muajin mars, kur në rrjetet sociale dhe në disa media ruse janë shfaqur fotografi, që pretendohej se tregonin armë të prodhuara në Serbi duke u përdorur në luftën aktuale në Ukrainë.

Beogradi i ka mohuar këto akuza, ndërsa Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk ka dashur të komentojë.

Pretendime për eksport përmes Polonisë

Çështja e eksporteve serbe në Ukrainë është ngritur edhe në nëntor të vitit 2019 nga nënkryetarja e Partisë opozitare për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq.

Deputetja serbe ka thënë në atë kohë se ndërmarrja shtetërore Krushik nga Valeva, po negocion për shitjen e armëve te një partner i huaj nga Ukraina.

Ajo, po ashtu, ka deklaruar se mina të prodhuara në Serbi, kanë përfunduar në Ukrainë përmes një kompanie nga Polonia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka mohuar këto akuza./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Akademikët shqiptarë, një mimezis tejet i zbehtë i akademisë aristoteliane

Story i radhës

Monza “hedh grepat” për mesfushorin e Romës

Të fundit nga

Zbardhen prapaskenat

Një lajm i bujshëm po qarkullon ditët e fundit në mediat italiane për një tjetër mbrojtës që Juventusi mund t’i rrëmbejë Milanit. Këtë herë bëhet fjalë për Fikajo Tomorin i cili mund
ShkoLartë