Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në rrjetet sociale në lidhje me protestën e pedagogëve, duke theksuar se protesta e një pakice pedagogësh po paraqitet si masive nga mediat. Rama thekson se nuk ka për t’u bërë asnjë veting ndaj pedagogëve dhe kjo gjë as nuk është menduar.
“Mediat e angazhuara masivisht për ta paraqitur si masive protestën e një pakice pedagogësh, nën udhëheqjen e nongratave e të SHIK-save të tyre, flasin për gjoja një veting që do bëka regjimi imagjinar për pedagogët! Asnjë veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar”, shprehet Rama.
Kreu i ekzekutivit deklaron se rritja e pagave për pedagogët nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme. “Sa për rritjen e mëtejshme të pagave e përsëris, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme, pas pensionistëve në fundvit dhe pas daljes së dimrit, kur do të bëjmë bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria”, shprehet Rama.
Sindikata e Arsimit dhe pedagogët kanë paralajmëruar për mbajtjen sot të një protestë kombëtare. Ata kërkojnë rritje të pagës në masën 50% brenda 2 viteve dhe investime në arsimin e lartë.