Deputeti i PS, Erion Braçe ka komentuar gjobitjen e fermerëve në Maliq duke kundërshtuar veprimet e Policisë së Shtetit.
Ai thekson se kjo situatë nuk zgjidhet përmes gjobave, por përmes zgjidhjes së problemeve të fermerëve.
Sipas deputetit socialist, për shkak të monitorimit të disa baktereve nga Universiteti Bujqësor që merr fonde publike, patatja e Divjakës, e Korçës dhe e Kukësit nuk tregtohet dot në vendet e Bashkimit Evropian.
Dhjetëra fermerë në Maliq u gjobitën me 100 mijë lekë të reja gjatë protestës për mungesën e tregut.
Shkak sipas policisë edhe në arsyetimin e gjobave është zënia e sipërfaqes rrugore të aksit Libonik-Drithas, pa leje e pa shkak të arsyetueshëm, duke u bërë pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve.
Sipas fermerëve, për shkak të mungesës së subvencioneve, prodhimi del me kosto më të lartë, ndaj ata konkurrohen nga prodhimet që futen nga jashtë.
“Jo çdo gjë zgjidhet përmes policisë së Shtetit e përmes gjobave, e kam fjalën për bujqit, ata që protestuan sot në Maliq”, thotë Braçe në videon e postuar në rrjete sociale.
“Për bujqit; për rrugën; për Policinë e Shtetit; për prodhimin, pataten si e tillë! Jo çdo gjë zgjidhet përmes Policisë së Shtetit, akteve, përfshi dhe gjobat si e drejtë e saj; ka 33 vite që ne nuk shesim dot asnjë gramë patate në vendet e Bashkimit Evropian; as pataten e Divjakës, as të Korçës e as të Kukësit, edhe pse janë super prodhim, i pastër, i shijshëm, cilësi. Duhen monitoruar tre baktere e për kaq, patatja jonë qarkullon veç këtu brenda e deri në Bosnjë.
Ndaj mbetet, ndaj s’ka çmim shpesh. Në 33 vite nuk ka zgjidhje; afërmendsh nuk është zgjidhje që e jep Policia. Universiteti Bujqësor që merr e merr fonde publike mund ta bënte këtë në 33 vite; do ishte ndryshe gjendja po të ndodhte kjo, do ishim në tregje të BE-së sot me pataten e Korçës, Kukësit e Divjakës.
Në anë tjetër; jo çdo protestë quhet e tille po të zësh rrugën, e po mos ta zësh nuk quhet e tillë; ajo rruga nuk të çon thjesht në Pogradec për lart e në Devoll për poshtë; jo! është rruga që na lidh me fqinjin jugor, rrugët e portet ekonomike të tij, vendeve tutje tij, rajonin, Evropën më tej; ashtu siç prej andej tek ne, rrjedh ekonomia e turizmit; troç-nuk e zgjidh hallin e patates, monitorimin e tre baktereve, zënia e kësaj rruge! përkundrazi, përkeqëson!”, shkruan Braçe.