Qindra qytetarë që prej 62 ditësh protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, do të zhvillojë edhe sot protestën kombëtare, e cila shënon ditën e 63-të të mobilizimit.
Ashtu si në protestat e mëparshme kombëtare, organizatorët kanë njoftuar se në tubimin e sotëm pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët do t’u bashkohen qytetarëve në Tiranë.
Prej më shumë se dy muajsh, protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore, të cilën e cilësojnë si të panegociueshme, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, me synimin për krijimin e një qeverie tranzitore që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në ditët e fundit, drejtuesit e protestës kanë ashpërsuar tonet ndaj kreut të qeverisë, duke deklaruar se “ka nisur numërimi mbrapsht” për të.
“Nëse nuk e ka kuptuar, i themi të largohet pa ardhur shtatori, sepse po erdhi shtatori, largimi i tij do të jetë siç ai nuk e imagjinon. Të largohet në mënyrë paqësore para shtatorit”, janë shprehur protestuesit në tubimet e fundit.
Po ashtu, aktivistët kanë deklaruar se kryeministri ndodhet nën presion për shkak të vijimësisë së protestave.
Ndërkohë, organizatorët u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të bashkive që kundërshtojnë reformën territoriale dhe t’i bashkohen protestës kombëtare në Tiranë.
Protesta e sotme pritet të nisë ashtu si çdo ditë rreth orës 19:00 në Sheshin Skënderbej, për të marshuar më pas drejt kryeministrisë, aty ky zhvillohen prej më shumë se një muaji protestat.
Burimi: botasot.info


