Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i vazhdohet masa e paraburgimit Rexhep Selimit, i cili po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas shkresës, në bazë të nenit 41 të Ligjit dhe rregullit 57 të Rregullores, ZPS bën parashtresat e mëposhtme në mbështetje të nevojës për vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit Rexhep Selimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë konstatuar në mënyrë të përsëritur se paraburgimi i Selimit është i arsyetuar në baza të shumta, se asnjë tjetër përveç paraburgimit në qendrën e paraburgimit të Dhomave së Specializuar të Kosovës nuk do të ishte i mjaftueshëm për të minimizuar rreziqet dhe se periudha e paraburgimit, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse, është e arsyeshme.
“Që nga përcaktimi më i fundit i 18 nëntorit 2022, dhe në kundërshtim me parashtresat e Selimit, nuk ka pasur asnjë ndryshim në rrethanat që meritojnë të devijojnë nga ai përcaktim. Në të vërtetë, transferimi i çështjes në trup gjykues dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që tregojnë progres të qëndrueshëm dhe do t’i japin Selimit akses të mëtejshëm në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tij, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit”, thuhet tutje nga prokuroria.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.
Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.