Prokuroria kërkon paraburgim për serbin që u kap me mbi 6 mijë fishekë në Veri

February 22, 2023
min lexim

Një shtetas i Serbisë është arrestuar dje në fshatin Jashanicë të Leposaviqit. Pas kontrollit, atij iu gjetën mbi 6 mijë fishekë të cilët u konfiskuan nga ana e Policisë së Kosovës, derisa i dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë. Ndaj tij, tashmë Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesën në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili tha se ai dyshohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për personin e arrestuar, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse””, tha Preteni.

Për këtë rast dje njoftoi Policia e Kosovës, ku bëri të ditur se rast.

“Sot, më 21.02.2023, rreth orës 13:30, në fsh. Jashanicë të Leposaviqit, në një pikë kontrolli, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu, kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë të cilën e drejtonte një mashkull serb. Policia gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh, viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici. I njëjti është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, thuhej në njoftim.

Në lidhje me rastin është deklaruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryeministri Kurti.

Sveçla tha se këta fishekë u konfiskuan “përderisa Vuçiq flet për armatosje të Serbisë”.

“Përderisa Vucic flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia. 6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë. Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cënojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla.

Ndërsa Kurti tha se kjo është një tjetër fitore për sundimin e ligjit.

“Një fitore tjetër për sundimin e ligjit: Policia e Kosovës ka arrestuar një trafikant të armëve që tentoi të kontrabandonte 6 mijë e 300 fishekë nga Serbia. Qeveria jonë nuk ka tolerancë për trafikimin e drogës dhe armëve, krimit të organizuar dhe për çfarëdo përpjekje për të mbështetur dhunën ose konfiktin- kudo në territorin tonë”, ka shkruar ai.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Rama: Japonia të jetë më e pranishme në rajon, dënojmë agresionin rus në Ukrainë

Story i radhës

Ngjarje e tmerrshme në Berlin, 5 vjeçarja vritet mizorisht me thikë nga dadoja e saj

Të fundit nga

ShkoLartë