Në kuadër të një fushate sensibilizuese për rritjen e vetëdijes te të rinjtë kundër dukurive negative, si dhuna në familje, abuzimet seksuale, droga e prostitucioni, Prokuroria Themelore e Pejës ka mbajtur ligjërata në shkolla të Istogut. Nxënësit u informuan për rreziqet dhe pasojat ligjore të këtyre veprave, si dhe për rëndësinë e raportimit të rasteve.
“Qëllimi i këtyre ligjëratave është që të rinjtë tanë të cilët nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë të kuptojnë më për së afërmi fushën inkriminuese ku mund të bien në shkollat ku ata vijojnë mësimin. Njëkohësisht të njëjtit mund të bien pre e abuzimeve seksuale dhe dukurive tjera negative të cilat jo rrallë herë janë duke u trajtuar dhe paraqitur në kuadër të shkollave ku ata i vijojnë mësimet”, tha Lumturije Vuçetaj, kryeprokurore në Prokurorinë Themelore e Pejës.
Nxënësit e shkollës së mesme teknike “Mitat Frashëri” në Gurakoc të Istogut janë njoftuar nga afër me pasojat e dukurive negative dhe domosdoshmërinë e parandalimit të tyre.
“Unë mendoj që nga ky takim i sotëm që e patëm me nxënës dhe informacionet që i dhashë dhe udhëzimet që ua përcjella, në të ardhmen ata patjetër që do të reagojnë do të jenë më të përgatitur në këtë drejtim dhe do ta kuptojnë se veprimet kundërligjore në këtë drejtim janë të ndëshkuara dhe duhet të lajmërohen”, tha Sanije Gashi Veseli, prokurore.
“Kemi bashkëpunim të mirë edhe përmes drejtorisë komunale të arsimit me shërbimin policor në Istog, edhe kemi kontakt të rregullt me ta, ata vijnë në patrullime të përditshme rutinore edhe në momente kur ne kemi nevojë për ta lajmërohen dhe janë aty ku është nevoja për nxënës”, tha Januz Ahmetaj, zëvendësdrejtor i SHMT “Mithat Frashëri”.
Zyrtarët e Prokurorisë, pas ligjëratës, për nxënësit e kësaj shkolle kanë shpërndarë fletushka që përmbajnë njohuritë elementare dhe bazike të institucionit të prokurorisë së shtetit.
Burimi: botasot.info