Projekton objektivat e zhvillimit në plane vjetore/ Buxheti, si mekanizëm balancues dhe lehtësues

November 3, 2024
min lexim

Buxheti është dokumenti më i rëndësishëm publik i vendit, që projekton objektivat e zhvillimit në plane vjetore shpenzimi, bazuar në të ardhurat që pritet të mblidhen nga bizneset dhe individët.

Parashikimi i të ardhurave e shpenzimeve për vitin e ardhshëm e gjen qeverinë dhe financat në një pozicion mjaft komod.

Pas goditjeve të tërmetit (2019), pandemisë (2020-2021) dhe krizës së çmimeve (2022) bizneset, që në Shqipëri janë bërë shumë elastike ndaj vështirësive, u rimëkëmbën shpejt.

Të ardhurat janë rritur mbi 10% gjatë këtij viti. Borxhi publik po ulet me shpejtësi dhe pritet ta mbyllë vitin 2024 në rreth 56% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga gati 80% që arriti në periudhën e pandemisë.

Përmirësimi i parametrave makro ka bërë që, për herë të parë, institucionet ndërkombëtare të rrisin vlerësimin e kreditit të Shqipërisë. Turizmi, nga ana tjetër, ka gjallëruar konsumin, duke amortizuar efektin e emigracionit dhe duke nxitur një zinxhir biznesesh në ekonomi.

Pavarësisht perspektivës pozitive, sfidat e buxhetit mbeten të shumta.

Së pari, mosshpërdorimi i parave të taksapaguesve. Vitet e fundit treguan se shumë projekte të mëdha të ashtuquajtura të Partneritetit Publik-Privat (PPP) ishin vetëm skema korruptive, që nuk sollën asnjë vlerë për publikun dhe një pjesë e tyre sot po hetohen nga SPAK.

Ndonëse për fat të mirë nga këto skema po hiqet dorë, ato po zëvendësohen nga PPP-të e rrugëve, me dy segmente që do të kushtojnë gati 1.2 miliardë euro (me TVSH), për 76 km, ose gati 15 mln euro/km.

Këto para do të paguhen direkt nga taksapaguesit, nëpërmjet tarifave sa herë që do të udhëtojnë në to.

Nuk ka një analizë se sa më e lirë do të ishte kostoja, nëse këto rrugë do të ishin financuar nga buxheti, që tashmë është shumë më komod me fondet që ka në dispozicion, dhe po vetë buxheti të menaxhonte pagesat për kalimin, siç bëjnë shumë shtete në Europë.

Rialokimi i më shumë se 40% të shpenzimeve buxhetore në fund të vitit është një tjetër problematikë e përhershme, që përveçse çrregullon ekuilibrat makroekonomikë, krijon mundësi për favorizime ndaj kompanive të caktuara e korrupsion.

Informaliteti mbetet sfida më e madhe e buxheteve në vite, që nuk po arrin të adresohet, sepse ky problem nuk zgjidhet me aksione të përkohshme e “kërcënime”.

Të ardhurat totale buxhetore në vitin 2023 ishin sa 27.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), njëlloj si në vitin 2017. Ky tregues është më i ulët se rajoni, që luhatet mesatarisht në 30-35% dhe shumë më poshtë mesatares së Bashkimit Europian, prej 40%.

Kontributi nga sigurimet shoqërore e shëndetësore ka mbetur në 5.2% të PBB-së, sa gjysma e mesatares rajonale dhe shumë më poshtë se 13.8% në Europë.

Këto shifra, jo vetëm tregojnë për vijimin e informalitetit të lartë në tregun e punës, por e vështirësojnë punën e qeverisë me premtimin e saj për rritjen e vazhdueshme të pensioneve. Buxheti i vitit të ardhshëm nuk sjell ndonjë risi, teksa ky tregues pritet të arrijë vetëm në 5.6% të PBB-së!

Buxhetet duhet të jenë të balancuara e lehtësuese për tatimpaguesit, që ata të mund të nxiten të prodhojnë e investojnë dhe sigurisht të konsiderojnë ata më pak të privilegjuarit për të jetuar me dinjitet.

Sikurse për një vend si yni, buxhetet duhet të vlerësojnë medoemos uljen e ngarkesës së shtetit me numër të lartë punonjësish dhe struktura të fryra, ndërkohë që zhvillimi i teknologjisë do duhet të jepte rezultate edhe në uljen e punonjësve në administratë. Aq më tepër që numri i popullsisë është tkurrur në 2.4 milionë banorë, nga 2.8 që vlerësohej deri tani.

Detyra kryesore e një qeverie është që paratë që mbledh nga taksapaguesit t’ua kthejë mbrapsht qytetarëve të saj, duke i shpenzuar në mënyrë sa më eficiente, në mënyrë që t’u rrisë atyre mirëqenien, të japë pensione që nuk janë lëmoshë, të cilat nuk dalin as për të jetuar, të përmirësojë infrastrukturën, të ofrojë shërbime shëndetësore të standardit të lartë, pa qenë nevoja për shpenzime nga xhepi, të krijojë një mjedis ekonomik të përshtatshëm që nxit konkurrencën e lirë dhe u jep të gjithëve shanse të barabarta.

A e kanë bërë buxhetet këtë në vite?! Përgjigjja vështirë se është PO në vendin që vijon të jetë më i varfri dhe më i korruptuari i Europës. A do ta bëjë buxheti aktual?!

Këtë pritet ta shohim. Siç konkluduan dhe fituesit e Nobel-it në ekonomi për këtë vit, fajin për varfërinë apo pasurimin e një vendi e ka politika dhe qeverisja.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Flet zëvendës ministrja për Eurointegrime/ Viktorija Trajkov: Euroskepticizmi është armiku i axhendës sonë

Story i radhës

Në pritje të strategjisë kundër korrupsionit

Të fundit nga

Haziri: LDK-ja është në garë për fitore

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë në garë për fitore. Nëse kjo parti nuk i fiton zgjedhjet, Haziri thotë se do jenë bashkë me
ShkoLartë