Pas qytetit të Lezhës, radhën e kishte Hasi për të pritur edicionin e 22-të të programit të sipërmarrjes sociale Upshift për fuqizimin e të rinjve të moshave 16-24 vjeç, i cili u zhvillua më 25-26 Tetor me 80 pjesëmarrës në ambientet e gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë.
Ky aktivitet organizohet me mbështetje të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në kuadër të projektit “Qëndro” të UNICEF Albania dhe financim të Qeverisë Italiane, zbatuar nga ICTSlab në partneritet me aktorët lokalë.
Dhjetëra të rinj iu përgjigjën thirrjes së Upshift në Has, të cilët u organizuan në 10 grupe pune. Ata u mentoruan nga: Jetmir Qaushi, Jonida Mici, Leonora Morina, Lindita Dani, Valmira Morina, Anduela Abazi, Arbërie Rada, Aurel Ukperaj, Erjona Todaj, Ermal Laci dhe Ervisa Todaj.
Dita e parë e Upshift filloi me një vizitë nga përfaqësuesi i UNICEF Shqipëri z. Murat Sahin dhe bashkëthemeluesi i ICTSlab z. Kushtrim Shala. Ata inkurajuan të rinjtë të cilët në Upshift mësojnë se kur përballen me një sfidë apo problem në komunitet e tyre, t’i qasen atij në mënyrë kreative.
Puna e të rinjve të Upshift nisi më herët me Fazën Zero gjatë së cilës secili grup u njoh me mentorin përkatës ndërsa punuan me Hartën e Palëve të Interesit, Pemën e Problemit dhe zhvilluan intervistat. Këto punime ata i sollën në ditën e parë të workshopit ditën e Premte më 25 Tetor, punime të cilat shërbejnë si pikënisje për hapat e radhës së zhvillimit të idesë së tyre si identifikimi i shkaqeve dhe pasojave dhe më pas konceptimi dhe modelimi i zgjidhjeve të para.
Po gjatë kësaj dite ata krijuan dhe testuan prototipet e para. Gjatë ditës së dytë të rinjtë krijuan një buxhet për implementimin e zgjidhjes dhe përgatiten prezantimet që do të bënin përballë jurisë së Upshift.
Fundi i ditës së dytë ishte rezervuar për momentin final të këtij aktiviteti dhe kurorëzimin e fituesve. 10 grupet e të rinjve prezantuan zgjidhjet përpara audiencës dhe jurisë së Upshift e cila përbëhej nga: znj. Elvana Hana, Drejtoreshë Ekzekutive e Credins Foundation; znj. Evia Kumrija, Drejtuese e Projekteve dhe Marrëdhënieve Institucionale pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, znj. Brisida Jahaj, Oficere e Zhvillimit të Adoleshentëve pranë UNICEF Albania dhe znj. Besmira Doka, influencere e Upshift.
Evenimenti përmbyllës i Upshift u përshëndet nga Kryetari i Bashkisë Has z. Miftar Dauti, Drejtori i Shkollës “Skënderbeu” z. Besmir Dani, Përfaqësuesi i UNICEF Shqipëri z. Murat Sahin, Drejtorja Ekzekutive e Credins Foundation znj. Elvana Hana, Kampionia e Upshift znj. Marcelle Delvaux-Abbot dhe Drejtuesja e Projekteve dhe Marrëdhënieve Institucionale pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, znj. Evia Kumrijaa.
Gjatë këtij aktiviteti z. Altin Sholla, administrator i Tirana Business University, mbajti një fjalim frymëzues për të rinjtë e Upshift.
Secili grup prezantoi për 3 minuta ndjekur nga sesioni 2 minutësh pyetje& përgjigje nga juria. Fitues të Upshift Edicioni i Hasit u shpallën Plisat, Little ChangeMakers dhe Yjet e Arenës.
- Sholla gjithashtu shprehu se TBU do të mbështetë njërin prej grupeve, grupin “Shqiponja” duke u mundësuar një projektor dhe disa pupa për të realizuar mini-kinemanë në shkollë.
Disa çmime mirënjohjeje u shpërndanë nga z. Sahin për mbështetësit e Upshift si Kryetari i Bashkisë Has z. Miftar Dauti, znj. Marcelle Delvaux-Abbot, z. Altin Sholla, znj. Elvana Hana dhe znj. Evia Kumrija.
Grupet Fituese
Grupi “Plisat” me anëtarë Sealba, Gisela, Laura, Ilsona, Argita dhe mentore Linditën dëshirojnë të krijojnë një dhomë-muze ku të përfshihen materiale që identifikojnë traditat dhe kulturën Hasjane. Krijimi i kësaj dhome ka për qëllim përdorimin e saj në funksion të ruajtjes së historisë, kulturës dhe traditës Hasjane ndër breza.
Grupi “Little Change Makers” me anëtarë Sajmir, Kaltrina, Rosela, Amanda, Enri dhe mentore Erjona është i përkushtuar për të ndihmuar kopshtin e fëmijëve përmes sigurimit të materialeve didaktike cilësore ne mënyrë qe te përmirësojnë përvojën mësimore të fëmijëve dhe zhvillimin e tyre.
Grupi “Yjet e Arenës” i përbërë nga Jonida, Rozalinda, Esjana, Leonora, Bernard dhe mentor Ermali, ka për qëllim krijimin e një ambienti më të mirë sportiv për nxënësit dhe komunitetin në Shkollën “Golaj.”
Burimi: pcworld.al