Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se në pikë kalimin kufitarë me Serbinë, në Merdarë kanë ndërruar masën e sigurisë për mallrat serbe duke e zëvendësuar me kontrollin e shtuar.
Kurti përmes një konference për media ka thënë se në pikët kalimet tjera kufitare kjo masë do të ndryshojë deri në momentin që të sigurojnë skanerët.
“Ministri i MPB-së i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Serbinë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që do të na vijnë skanerët, atëherë do të vendosim në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që i kemi ne janë masat e sigurisë”, ka thënë Kurti.
Ai tutje u shpreh se masat tona nuk kanë qenë dhe nuk janë asnjëherë tregtare, janë masa të sigurisë.
“Serbia në dy vitet e fundit e ka sjellë katër herë ushtrinë e saj te kufiri, në vitin e kaluar dhe këtë vit kemi pasur katër konfiskime të mëdha të armatimit dhe municionit, ndërkaq grupi paramilitar terrorist që vrau Afrim Bunjakun vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, tha Kurti.
Ndaj vendimit të Kurtit ka pasur kritika nga opozita, ndërsa ndaj kritikuesve ka reaguar profesori nga Parisi, Nezir Kraki.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se fillimisht e kanë “tranuar” njerin duke thënë të bëjë si thotë Gjermania, ndërsa tani e vajtojnë “plazma, plazma”.
Tutje, ai ka kërkuar që ata “ta mshelin gojën”.
“E patën tranuar njerin “o bon çka të thotë gjermoni se na more në qafë”, e tash tan ditën tu vajtu “plazma, plazma”. A doni koordinim me Gjermanin për CEFTA? Po! Ani hani pllazma tash e mshelne gojën!”, ka shkruar Kraki.
BURIMI: Bota Sot