Pagat e ulëta dhe qëndrimi injorues i pushtetarëve ndaj kuadrove akademike, do ti nxjerr profesorët jashtë fakulteteve për të protestuar.
Profesorët e Universitetit Shën Kirili dhe Metodi në Shkup kanë vendosur ti shprehin pakënaqësitë e tyre përmes një proteste të qetë.
“Federata e Sindikatës së UKM-së i bën thirrje stafit akademik që të shprehin revoltën dhe pakënaqësinë e tyre për qëndrimin injorues të organeve kompetente, ndaj Universitetit tonë për nënshkrimin e kontratave kolektive. Në një kohë krize të shumëanshme, pagat në arsimin e lartë po shkërmoqen gjithnjë e më shumë”, thonë nga UKM.
Kryetari i Federatës së Sindikatës së UKM-së, prof. Dr. Angel Ristov thotë se kërkojnë urgjentisht nënshkrimin e marrëveshjes kolektive me projeksionet e parapara katërvjeçare për rritje të pagave, përkatësisht rritje 25% të pagave në 4 vitet e ardhshme.
Sindikata e UKM-së prej më shumë se dy vitesh ka një betejë ligjore dhe prej më shumë se një viti është duke negociuar për përmirësimin e statusit social të stafit akademik të UKM-së, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë reagim nga Ministria e Financave dhe Kuvendi.
“Me sa dimë buxheti suplementar nuk parasheh mjete për rritjen e pagave tona, për çka vonohet nënshkrimi i marrëveshjes kolektive”, thotë prof. Dr. Angel Ristov.
Me këtë protestë paqësore, tani për tani nuk vihet në pikëpyetje “fati” i rreth 50 mijë studentëve që do të hyjnë në provimet e qershorit, por nëse nuk dëgjohen nga Qeveria, anëtarësia do të vendosë masa shtesë se çfarë veprimesh do të ndërmerren.
Ata i janë drejtuar me një letër të hapur kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe ministrit të Financave, por nuk ka pasur përgjigje.