Procesi i Berlinit/ Marrëveshjet për letërnjoftime, diploma dhe vende pune, në pritje pas nënshkrimit nga krerët e Ballkanit Perëndimor

min lexim

Nuk ka gjasa që marrëveshjet e nënshkruara në Berlin nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të lehtësonin udhëtimin, studimin dhe punën për qytetarët, të vihen në jetë së shpejti.

Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, u nënshkruan nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova u pajtuan paraprakisht për marrëveshjet, në tetor, pas disa javësh negociatash të udhëhequra nga Gjermania.

Që të fillojë zbatimi i asaj që u nënshkrua, është e domosdoshme që dokumentet të ratifikohen nga parlamentet e secilit prej vendeve, brenda 18 muajve, gjë që nga ana tjetër është shumë e pasigurt për shkak të procedurave, problemeve të brendshme dhe bllokimeve politike, si dhe marrëdhënieve ndërmjet disa prej këtyre vendeve. Nga ana tjetër, disa prej shteteve tashmë kanë marrëveshje të ngjashme me të tjerat dhe në praktikë dokumentet e Berlinit nuk do të sjellin shumë ndryshime.

Marrëveshja e parë në Berlin parashikon që për udhëtime ndërmjet vendeve të rajonit, në të ardhmen, do të nevojiten letërnjoftimet. Kjo është më e rëndësishmja për qytetarët e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në këto dy shtete. Këtë mundësi tashmë e kanë qytetarët e shteteve të tjera për shkak të marrëveshjeve të mëhershme.

Marrëveshja do të duhet gjithashtu të përmirësojë lirinë e lëvizjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo u nënshkrua nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq, gjatë samitit, flamuri i Kosovës është ekspozuar në mesin e flamujve të pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Beogradi thotë se tashmë ekziston ‘Ballkani i Hapur’
Që marrëveshjet e nënshkruara në Berlin nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, të procedohen para deputetëve, ato duhet të shqyrtohen edhe nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Serbisë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) Elvira Kovaç, anëtare e atij komisioni.

Marrëveshjet nga Berlini, megjithatë, ende nuk kanë arritur në Kuvendin e Serbisë. Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se kur do të dërgohen dokumentet në Kuvend dhe as për atë se kur presin që marrëveshja të zbatohet.

Më 3 nëntor, pas nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ato janë të rëndësishme mbi të gjitha për të rinjtë në rajon, por edhe se “nuk di se për çfarë të duartrokasë”.

“Çfarë po nënshkruajmë këtu dhe kush do t’i zbatojë? Si mendoni se do të sillet [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti ndaj atyre marrëveshjeve? Ashtu siç dëshiron. Asnjë marrëveshje nuk e ka zbatuar deri më tash dhe askush nuk i ka thënë asgjë”, tha Bërnabiq.

Megjithatë, ajo nuk u deklarua lidhur me atë se a do t’i zbatojë Beogradi marrëveshjet që ka nënshkruar, por tha se “është veçanërisht e rëndësishme që këto marrëveshje të mos devijojnë nga ajo për të cilën jemi marrë vesh ose po merremi vesh në kuadër të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Kosova dhe Serbia, në fund të gushtit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, arritën një marrëveshje për heqjen e dokumenteve për hyrje/dalje, të cilat deri atëherë kishin zëvendësuar letërnjoftimin.

Premtimi i Kosovës për ‘fillimin e procedurave’
Qeveria e Kosovës, e pyetur nga REL-i lidhur me ratifikimin e marrëveshjes së Berlinit, ka dhënë përgjigje të shkurtër se shteti “do të fillojë procedurat e nevojshme në kohën më të shkurtër të mundshme, bazuar në Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare”.

Qytetarët e Kosovës udhëtojnë me letërnjoftim kudo në rajon, duke përjashtuar Bosnje e Hercegovinën, me të cilën ka regjim të vizave. Me letërnjoftim ata mund të udhëtojnë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri.

Përveç Serbisë, Bosnje dhe Hercegovina është gjithashtu i vetmi vend në rajon që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por e njeh pasaportën e saj si dokument të vlefshëm.

Deri më tani, për të hyrë në Bosnje dhe Hercegovinë, qytetarët e Kosovës e kanë pasur të domosdoshme të kenë vizë. Ndërkaq, që nga viti 2014 e njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës që duan të udhëtojnë për në Kosovë, sepse asokohe u vendos masa reciproke për regjimin e vizave.

Deri më tani, madje edhe ata që jetojnë në Kosovë dhe kanë familje në Bosnje e Hercegovinë dhe anasjelltas, përballeshin me probleme për marrjen e vizës.

Labirinti boshnjak deri në miratim
Për ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, nënshkrimi i marrëveshjes është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe hapjes së dyerve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës.

Ajo tha për REL-in se procesi i Berlinit është konfirmim për atë se është e mundur të zgjidhen edhe çështjet më të vështira politike. Ajo është e bindur se marrëveshjet nga Berlini “do të kalojnë të gjitha procedurat e nevojshme në kohën e duhur dhe do të hyjnë në fuqi, në interes të të gjithë qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës dhe të gjithë rajonit”.

Nga kabineti i kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, i cili ka nënshkruar marrëveshjet, kanë thënë shkurt për REL-in se ato do të dërgohen për t’i futur në procedurë të miratimit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ata nuk specifikuan se kur do të ndodhë kjo.

Procedura në Bosnje e Hercegovinë, për kontrata të tilla, parashikon që marrëveshja origjinale i shkon fillimisht Ministrisë që drejton Bisera Turkoviq, pastaj Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës dhe më pas Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, e cila është përgjegjëse për politikën e jashtme dhe ratifikim. Gjithashtu, paraprakisht, Parlamenti duhet të japë miratimin për ratifikim.

Megjithatë, është pak e besueshme që tre anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës të pajtohen për ratifikim, duke pasur parasysh se pas zgjedhjeve të tetorit në Bosnjë e Hercegovinë, në përbërjen e re të kësaj presidence është Zhelka Cvijanoviq.

Si bashkëpunëtore e afërt, ajo vazhdon politikën e Millorad Dodikut, i cili në atë pozitë në përbërjen e kaluar, ishte vazhdimisht kundër njohjes së Kosovës, ashtu sikurse edhe të gjitha partitë serbe në institucionet shtetërore në entitetin Republika Sërpska. Formimi i pushtetit, pas zgjedhjeve, ende nuk është bërë.

Për Malin e Zi, vetëm konfirmim i përfitimeve ekzistuese
Nënshkrimi i marrëveshjes është një përparim i madh, veçanërisht për shtetet e rajonit, si Bosnje e Hercegovina dhe Kosova, “të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën dhe qytetarët e të cilave udhëtojnë me pasaporta me regjim vizash”, konsideron Gjorgje Raduloviq, këshilltar për politikë të jashtme i kryeministrit të Malit të Zi.

Sa i përket Malit të Zi, ai tashmë ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me të gjitha shtetet për udhëtime me letërnjoftime, thotë Raduloviq, i cili është edhe koordinator nacional për Procesin e Berlinit. Ai vlerëson se marrëveshjet e nënshkruara vetëm sa e konfirmojnë edhe më tej mobilitetin e lëvizjes për qytetarët malazezë.

Përveç udhëtimit vetëm me letërnjoftime brenda rajonit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të doktorëve të mjekësisë, doktorëve të stomatologjisë dhe arkitektëve.

Kryeministrja e Serbisë tha se marrëveshje të tilla “nuk janë diçka tepër e re” për Beogradin, sepse një gjë e tillë tashmë është bërë “në shkallë më të gjerë, si pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur” me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që ka nisur në vitin 2019. Kësaj nisme nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnje e Heregovina dhe Mali i Zi.

Këshilltari i kryeministrit malazez, Gjorgje Raduloviq, thotë se është veçanërisht e rëndësishme që me marrëveshjet nga Berlini të njihen marrëveshjet e mëparshme bilaterale dhe marrëveshjet ndërmjet vendeve. Po ashtu, nëse ato marrëveshje janë më të favorshme për qytetarët sesa ato të Berlinit, zbatimi i tyre nuk vihet në dyshim, konsideron Raduloviq.

Kur bëhet fjalë për marrëveshjet për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale, Ministria e Arsimit e Malit të Zi thotë se vendet nënshkruese, në 18 muajt e ardhshëm, do të vendosin rregulla dhe procedura të përbashkëta për njohjen e tyre.

Kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq, në një bisedë me përfaqësuesen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Susanne Schutz, ka premtuar se të gjitha marrëveshjet do të ratifikohen në parlament, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Maqedonasit e shohin të gjithën si trampolinë për tregun e BE-së
Qeveria e Maqedonisë së Veriut thotë se, në fakt, synimi është që përmes marrëveshjeve dypalëshe të modelit të Berlinit, të tejkalohet problemi i Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilat janë të vetmet vende që nuk kanë regjim udhëtimi me letërnjoftime.

Ka vite që qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë në cilindo nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm me letërnjoftim, pa pasaportë. Tash e dhjetë vjet, qytetarët mund të udhëtojnë me letërnjoftim në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi, tash e gjashtë vjet në Kosovën, ndërkaq mundësinë për të udhëtuar në Bosnje e Hercegovinë, qytetarët e kanë që nga viti 2018.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, megjithatë, këto tri marrëveshje i konsideron të rëndësishme dhe si “trampolinë drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian”.

Marrëveshja e arritur më 3 nëntor, parashikon që mjekët, stomatologët dhe arkitektët nuk do të kenë barriera administrative, pra nuk do të kenë nevojë për certifikim diplome dhe paraqitje të kërkesave në institucione të panumërta.
“Kjo marrëveshje ofron përfitime të shumëfishta, sepse jo vetëm që do të zbatohen kritere të përpikta të BE-së në lëvizshmërinë e tregut të përbashkët, por edhe vendet kanë detyrim që për këto tri profesione t’i harmonizojnë kurrikulat dhe programet me kërkesat e BE-së”, u përgjigj Qeveria.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, qytetarët do të lirohen nga procedurat komplekse për njohjen e kualifikimeve. Kjo do t’ua lehtësojë punësimin në ndonjërën nga vendet e Ballkanit Perëndimor, studimin, shkëmbimin e mësimdhënësve dhe hulumtuesve.

Marrëveshjet do të duhej të ratifikoheshin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por puna e Kuvendit është e bllokuar nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE dhe për këtë arsye shumë ligje nuk janë miratuar.

Mes tyre janë edhe marrëveshjet nga nisma e Ballkanit të Hapur, të cilat Parlamenti nuk i ka ratifikuar ende.

Si pjesë e kësaj nisme, tashmë janë nënshkruar marrëveshjet për qasje të lirë në tregun e punës, sipas të cilave qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mund të punojnë në cilindo nga këto shtete, si dhe është paraparë edhe lehtësimi i njohjes së diplomave të arritura në ato vende./REL/

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Akuza ekipit të xhirimit për neglizhencë, Alec Baldwin ngre padi për të shtënat në filmin “Rust”

Story i radhës

Putin bën gati ‘dhuratat’ për ushtrinë e tij

Të fundit nga