Chuck Schumer, senatori veteran nga shteti federal i New Yorkut dhe një nga figurat më të spikatura të Partisë Demokratike, ndodhet përballë një sfide të madhe për shkak të yllit të ri të kësaj partie, Alexandria Ocasio-Cortez.
Kompania “Data for Progress” ka kryer një sondazh mes votuesve demokratë në New York, dhe 55 për qind e tyre kanë thënë se do ta votonin Ocasio-Cortez në zgjedhjet e ardhshme për senator, ndërsa vetëm 36 për qind do të votonin për Schumerin.
Sipas gazetës Politico, kjo garë e mundshme – megjithëse e njohura AOC ende nuk ka njoftuar zyrtarisht nëse do të kandidojë në zgjedhjet për senator që priten në vitin 2028 – mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Partisë Demokratike.
Schumer konsiderohet si pjesë e “krahut të moderuar” të demokratëve dhe si një politikan që shpesh ka arritur marrëveshje me Partinë Republikane në Senat.
Nga ana tjetër, Ocasio-Cortez është një prej figurave kryesore të “krahut progresist” të partisë, që është më i prirë drejt betejave politike sesa kompromisimeve.
Megjithatë, për shkak të thellimit të dallimeve politike mes votuesve të dy partive kryesore në SHBA, zgjedhësit po i drejtohen gjithnjë e më shumë krahëve më radikalë të partive të tyre – gjë që u dëshmua edhe nga fitorja e madhe e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale.
Pikërisht për këtë arsye, sipas Politico, pritet që “më radikalja” Ocasio-Cortez të ketë përparësi ndaj “të moderuarit” Schumer, i cili shihet si përfaqësues i “politikës së vjetër” amerikane.
Burimi: botasot.info