Kanali me ujërat e zeza kalon përmes Haraçinës. Aty kundërmon dhe banorët që jetojnë në këtë zonë ankohen se ua vështirëson jetën. Kryetari i Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, tani për tani si plan e ka ta mbulojë nga lart, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Në DailyClick tha se për ta rregulluar çështjen e ujërave të zeza komunës do t’i duhen 10 milionë euro për stacion filtrues, ndërsa për t’u kyçur tek ky stacioni filtues i qytetit të Shkupit do të duhen më pak mjete.
“Sa për informacion unë kam përgatitur projekt dhe dokumentacion për stacionin për ujërat e zeza që përllogaritjet e para flasin se diku 10 milionë euro do t’i duhen komunës sonë për ta pasur filtër stacionin ne si komunë, ndërsa në anën tjetër nëse na mundësohet kryqja në filtër stacionin e qytetit të Shkupit janë shumë më pak mjete që do të na duhen për të arritur deri tek ai stacion filtrues andaj shpresoj që ky do të jetë një premtim i realizuar nga ana e ministrisë dhe me automatizëm do të jetë një kursim i madh”, tha Ridvan Ibrahimi.
Një çështje tjetër që ka mbetur peng në këtë Komunë është edhe stadiumi që është premtuar se do të ndërtohet nga FFM-ja, por deri më tani në realizim nuk ka asgjë. E gjithë kjo, sipas Ibrahimit, ndodh sepse nuk kanë një lokacion të përshtatshëm, sepse vendi që kishte paraparë Komuna është i papërshtatshëm.
“Ja unë e them publikisht më gjeni një tokë tjetër që i plotëson kushtet do të pozicionohemi atje”, deklaroi Ibrahimi
Gazetari: Thoni që nuk ka për momentin?
“Nuk ka! Ne mund të dalim në fushat ku nuk mund ta sigurosh një pikë ujë, marrë parasysh se fusha e sportit do edhe shumë kushte të tjera, por kjo nuk është e vetmja sepse jo rastësisht është pozicionuar aty stadium për shkak të korridoreve që i kemi d.m.th. lidhet me aeroportin edhe me korridorin që kalon përmes komunës sonë sepse kryeqytetit i duhet një stadium me standard të lartë siç është në Komunën tonë”, tha ai.
Kujtojmë se kryetari i Komunës së Haraçinës së fundmi ka pasur disa probleme dhe ka qenë i kërcënuar, por duke folur për këtë në TV21 ai tha se do të vazhdojë të punojë për të mirën e banorëve, ndërsa për të qenë i lirë tha se ka mbështetjen e institucioneve dhe qytetarëve.
Burimi: tv21