Çmimi i naftës ka rënë me pothuajse 2 dollarë për fuçi sot pasi kufizimet e vazhdueshme anti-COVID të Kinës, si dhe protestat në disa qytete, shkaktuan rënien e kërkesës në vendin më të madh importues të naftës, raporton Anadolu Agency (AA).
Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent tregtohej me 81,33 dollarë për fuçi në mëngjesin e sotëm, që ishte për 2,84 për qind nga çmimi i mbylljes prej 83,71 dollarë për fuçi.
Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u tregtua me 74,22 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, me një humbje prej 2,70 për qind pasi në mbyllje ishte 76,28 dollarë për fuçi.
Çmimet e nisën javën me një rënie, të nxitur nga kufizimet e vazhdueshme kundër COVID-it në Kinë dhe shqetësimet rreth kërkesës së dobët në vendin më të madh importues të naftës në botë.
Mediat lokale raportuan për protesta në disa qytete kineze të shtunën vonë kundër politikës shtrënguese anti-COVID.
Pasiguritë në tregjet e naftës reflektohen në parashikimet e çmimit të naftës, ku Morgan Stanley, kompani ndërkombëtare investimesh dhe bankare me bazë në SHBA, rriti parashikimin e çmimit të naftës javën e kaluar për vitin 2023 nga 100 dollarë në 105 dollarë. Faktorët kryesorë për rritje ishin ndikimet shtesë që pritet të shkaktohen nga furnizimi rus duke filluar në maj dhe zbehja e perspektivave për marrëveshjen me Iranin.
Investitorët tani janë në pritje të takimit të OPEC+ që do të mbahet më 4 dhjetor, kur prodhuesit pritet të vendosin për nivelin e prodhimit për janar dhe ndalesën e BE-së për eksportet e naftës ruse më 5 dhjetor.
Megjithëse BE-ja dështoi të arrijë marrëveshje për kufizimin e çmimeve të naftës ruse nga deti, blloku do të ndalojë naftën ruse duke filluar nga 5 dhjetori dhe produktet e naftës më 5 shkurt.
Vendet e G7-tës planifikojnë gjithashtu të vendosin një kufizim prej 65 deri 70 dollarë për fuçi për naftën ruse nga deti.
Burimi: GAZETA.MK