prizreni shenon diten nderkombetare te romeve me thirrje per drejtesi sociale barazi dhe perfshirje 67f52f1ca3314

Prizreni shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve me thirrje për drejtësi sociale, barazi dhe përfshirje

April 8, 2025
min lexim

Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare Rome të hënën në Prizren me një Akademi Solemne ka shënuar 8 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Në këtë aktivitet ka pasur reflektim mbi historinë, kulturën, sfidat dhe arritjet e komunitetit rom, duke riafirmuar angazhimin për të drejtat dhe përfshirjen e tyre në shoqërinë kosovare.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka vlerësuar se 8 Prilli nuk është festë vetëm e komunitetit rom, por se është kremte e gjithë qytetit, “sepse komuniteti rom është pjesë integruese që e kompleton tërësinë e Prizrenit”.

“Prizreni është shembull i diversitetit, trashëgimisë, tolerancës dhe mirëkuptimit dhe në këtë kontekst secili komunitet e ka rëndësinë e vet dhe është i barabartë me të gjithë. Edhe festat e secilit komunitet janë festë e përbashkët”, ka thënë Totaj.

Përfaqësuesja e komunitetit rom në Komunitetin për Komunitete, Shyhret Hoxhaj ka vënë në pah se kjo ditë është e rëndësishme për të reflektuar mbi tolerancën kolektive.

“8 prilli është më shumë se një datë kalendarike, është një kujtesë e gjallë për historinë, kulturën dhe sfidat e rezistencës së popullit rom në mbarë botë. Është një ditë e rëndësishme për të reflektuar mirëkuptimin tonë kolektiv dhe për të afirmuar zotimin tonë ndaj drejtësisë sociale, barazisë dhe përfshirjes”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, roli i institucioneve lokale dhe qendrore është kyç në krijimin e politikave që garantojnë integrimin real dhe të qëndrueshëm të komunitetit rom.

“Por përveç institucioneve, secili prej nesh ka një rol për të luajtur si qytetar, si prind, si aktivist dhe si pjesë e kësaj shoqërie”, ka shtuar Hoxhaj.

Edhe Fatmir Menekshe nga OJQ “Durmish Aslano” ka folur për vlerat e kulturës rome në Kosovë që begatojnë shoqërinë si tërësi.

Islam Elshani nga Zyra Komunale për Kthim dhe Komunitete ka paraqitur progresin ndër vite të këtij komuniteti në Komunën e Prizrenit.

“Dita e sotme është një mundësi për të kujtuar se të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme dhe se duhet të mbrohen për të gjithë pa dallim. Ashtu si çdo komunitet tjetër edhe romët meritojnë mundësi të barabarta për arsim, punësim, shëndetësi dhe pjesëmarrje në jetën sociale”, ka thënë Elshani, duke shtuar se nevojitet kontributi i të gjithëve për të krijuar një shoqëri të barabartë.

Në kuadër të kësaj akademie ka pasur program kulturor, me interpretim nga  Hysni Qulangji, pastaj prezantim mbi rëndësinë e kësaj dite për identitetin rom nga Urma Menekshe, sikurse edhe rolin e këtij komuniteti në kulturën dhe historinë e Prizrenit nga Daut Qulangjiu.

Dita Ndërkombëtare e Romëve është festë e diversitetit, kulturës dhe gjuhës, si dhe kontributit që ka dhënë ky komunitetit përgjatë historisë. Më 8 prill 1971, përfaqësues të këtij komuniteti nga vende dhe prejardhje të ndryshme janë takuar në Kongresin e parë të Romëve dhe së bashku janë dakorduar për simbolet dhe emrin rom.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

rutte manovrat ushtarake te kines jane shqetesuese 67f52e5583fdd
Story i mëparshëm

Rutte: Manovrat ushtarake të Kinës janë shqetësuese

naim abazi flet per momentin me te veshtire humbjen e femijes 67f5304d22bf1
Story i radhës

Naim Abazi flet për momentin më të vështirë, humbjen e fëmijes

Të fundit nga

ShkoLartë