Klubi i futbollit, Prishtina, ka nënshkruar kontratë me futbollistin e talentuar, Amar Demolli.
Ky lajm është konfirmuar në faqen zyrtare të klubit nga kryeqyteti. Talenti prishtinas është edhe reprezentues i Kosovës U-17, Përfaqësuese me të cilën ka luajtur edhe në kualifikimet e fundit për Kampionatin Evropian.
Pas nënshkrimit të kontratës, Amari tashmë si futbollist i Prishtinës i pa nga afër ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” derisa pozoi me fanellën tonë edhe në fushën e gjelbër.
“Është privilegj shumë i madh që të jem pjesë e Prishtinës. Jam shumë i lumtur dhe premtoj se do ta jap maksimumin tim në fanellën bardhekaltër. Do ta bëj më të mirën time në stërvitje në mënyrë që të zë vend edhe në përbërje. Me punë mund të arrihet çdo gjë.”, tha Demolli për faqen zyrtare të klubit.