Ndeshja mes Prishtinës dhe Vushtrrisë e ka arsyetuar epitetin e derbit të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në hendboll. Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë u zhvillua ndeshje e fortë dhe interesante.
Pas pjesës së parë të barabartë, në pjesën e dytë më shumë shfaqi Prishtina që fitoi në fund me rezultat 36:30. Për Prishtinën ishte fitorja e dytë nga po aq ndeshje.
Vushtrria ka pësuar humbjen e tretë, por në të tri ndeshjet ka shfaqur lojë të mirë dhe ka dëshmuar se do të jetë skuadër serioze në Superligë.
Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshje tjera të javës së tretë.
Kampionia aktuale, Besa Famgas ka fituar në “Mizahir Isma” ndaj Rahovecit me rezultat 41:28. Besa shënoi fitoren e tretë, ndërsa Rahoveci pësoi humbjen e parë.
Në Ferizaj, Kastrioti nuk ka lejuar befasi ndaj Deçanit duke fituar me rezultat 36:18. Me ndeshjen e së dielës, Trepça – Vëllaznimi, përfundon xhiroja e tretë.