Asambleja komunale e Rahovecit në diskutim publik ka prezantuar projekt-buxhetin për vitin 2023. Buxheti i prezantuar para qytetarëve rahovecianë, u tha se ka rritje prej më shumë dy milionë eurosh, kryesisht në investime kapitale.
Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Rahovecit, Afrim Limani ka prezantuar kornizën afatmesme buxhetore, ku shtoi se ky dokument do të finalizohet në shtator të këtij viti.
Limani: Buxheti për vitin 2023 është 17 milionë euro
“Buxheti i Komunës së Rahovecit për vitin 2023, në total prej 17 milionë e 548 mijë e 248 euro, në total duke përfshirë kategorinë e pagave në shumë prej 8 milionë e 453 mijë, në shërbime prej dy milionë e 203 mijë, komunali 370 mijë, 820 mijë në subvenencione dhe investime kapitale pesë milionë e 701 mijë euro. Për vitin 2023 do të jetë një shumë prej pesë milionë e 701 mijë…. Buxheti në krahasim me vitin e kaluar ka qenë 15 milionë e 53 mijë e 660 euro, kemi një rritje prej dy milionë e 494 mijë e 580 euro. Kemi një rritje në të gjitha kategoritë, rritje në theks të veçantë është në investime kapitale prej 885 mijë euro”, ka thënë ai.
Qytetari Murat Kryeziu nga Xërxa është interesuar në lidhje me shkollën në Xërxë dhe projektimin që është bërë në kuadër të buxhetit.
Kryeziu: A është ndarë buxhet për atë shkollë?
“Shkolla e Xërxës, a është ndarë buxhet për atë shkollë dhe sa është ndarë buxhet për atë shkollë? Nëse është bërë projekti ndarë, me kë është konsultuar projektuesi, a me bordin e shkollës, apo me drejtorin e shkollës? Dhe në bazë të çfarë kritereve ka bërë një projekt që unë dje dëgjova në fshatin tonë thuajse shumë e papranueshme”, ka pyetur ai.
Asamblisti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Burim Krasniqi nuk është shprehur i kënaqur me interesimin e qytetarëve në këtë konsultim publik.
Krasniqi: Takimet e ftuara nga asambleja janë më të zbehta
“Po e shoh edhe kur takimet i thërret KPF dhe asambleja janë më të zbehta se sa kur i thërret kryetari i komunës. Buxhetin e komunës e voton Asambleja komunale, dhe si e tillë në takimin e ftuar nga KPF dhe Asambleja do të duhej të ishte një pjesëmarrje më e madhe, ku do i kishin shpreh kërkesat dhe nevojat e veta”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Dëfrim Kafexhiu tha se këto dëgjime buxhetore luajnë rol të rëndësishëm në rolin e vendimmarrjes në institucione lokale.