Hakerët ukrainas kanë krijuar profile të rrejshme në rrjetet sociale, ku prezantohen si gra për të mashtruar ushtarët rusë dhe të mësojnë për lokacionet e tyre, dhe më pas u mundësojnë forcave ukrainase të shkatërrojnë bazat e armikut.
Agresioni rus detyroi ukrainasit të gjejnë metoda të reja për udhëheqjen e luftës, e tashmë dihet se përdorin dronët komercial dhe pilotët civilë që të operojnë edhe me dronët ushtarak për t’u mbrojtur nga armiku, derisa Perëndimi u ka ofruar sasi të madhe të armëve, ku ushtria ukrainase po shfaqet inovative që sulmet e saj të rezultojnë sa më efikase.
Ndihmë të madhe po ofrojnë edhe profesionistët e fushës së teknologjisë informative, që janë bërë hakerë dhe aftësitë e tyre po i përdorin për ta mbrojtur vendin nga armiku.
Ata punojnë nga lokacione të fshehta dhe të sigurta, e një grup të tillë e udhëheq Nikita Knysh. Ky 30-vjeçar më herët ka punuar si ekspert në sigurinë kibernetike, duke parandaluar sulmet e shumta.
Pasi Rusia filloi sulmet në Ukrainë më 24 shkurt, Nikita vendosi të qëndrojë në Ukrainë dhe ta mbrojë vendin e tij. Kontaktoi me mentorin e tij dhe njërin prej ukrainasve më të pasur, Vsevolod Kozemjak, duke kërkuar internet satelitor Starlink, që Ukrainës ia ka ofruar biznesmeni amerikan dhe njëherit drejtori i kompanisë SpaceX, Elon Musk.
Më pas formoi ekipin prej 30 personave, të cilët i akomodoi në një bujtinë. Ky grup mori emrin Hackyourmom, që filloi të kryej sulme mbi Rusinë – duke përdorur aftësitë kompjuterik dhe internetin satelitor pa pagesë të Starlink.
Nikita ka thënë për Financial Times se ky grup është përgjegjës për kërcënime të rrejshme për bomba në aeroplanë që po udhëtonin drejt Rusisë, ku si pasojë ka ardhur deri te anulimi apo shtyrja e fluturimeve.
Por suksesi më i madh i hakerëve ukrainas është mashtrimi i ushtarëve rusë, të cilëve ua zbuluan lokacionet ku ishin stacionuar. Lideri i këtij grupi të hakerëve pranoi se ishin prezantuar si gra atraktive në disa rrjete sociale përfshirë Telegramin, nga ku kontaktuan me ushtarët rusë në Melitopol.
Ata e dinin se rusët duan të lavdërohen se janë luftëtarë dhe u kërkonin fotografi. E pikërisht këto fotografi ukrainasit i përdorin për zbulimin e lokacioneve të ushtarëve – e bëhet fjalë për një bazë ushtarake jo larg Melitopolit të okupuar.
Këto informacione më pas i kanë dërguar në ushtrinë ukrainase, që pas aksionit ushtarak hodhën në erë këtë bazë ushtarake të rusëve.
Përveç kësaj, Nikita pretendon se grupi i tij është përgjegjës për sulmet kibernetike mbi televizionet ruse, duke zbuluar databazën e të dhënave të partnerëve ushtarakë të rusëve.
Ky grup i hakerëve më nuk qëndrojnë në bujtinën që ishin “akomoduar” në fillim të luftës në Ukrainë. Tani punojnë nga zona tjera për arsye sigurie.
Javën e kaluar është bërë e ditur se këta hakerë sulmuan Yandex Taxi duke dërguar dhjetëra vetura në lokacionin e njëjtë, pasi “futën duart” në aplikacionin e kësaj kompanie.
Të gjitha veturat janë dërguar në Kutuzovski Prospekt në Moskë ku gjendet Hotel Ukraina.