Presidenti Meta vazhdon kërkesat ndaj Gjykatës Kushtetuese para seancës publike për shkarkimin e tij

January 30, 2022
min lexim

Në Tiranë, Presidenti Ilir Meta i kërkoi sot Gjykatës Kushtetuese të sigurojë transparencë dhe të drejtat e palëve në seancën publike, që pritet të zhvillohet javën tjetër mbi shkarkimin e tij nga detyra prej Kuvendit.

Presidenti Meta kërkoi që Gjykata të dërgojë brenda datës 31 janar informacion mbi ecurinë e kësaj çështje në mbledhjet e saj, mbi pezullimin apo vazhdimin e saj sipas afateve ligjore, si dhe mbi procedurat e caktimit me short të relatorit të çështjes.

Zoti Meta kujtoi se qysh 6 muaj më parë i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shqyrtim të shpejtë dhe pa asnjë vonesë të çështjes, por nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar prej saj, ndaj përsëriti kërkesën për informacion dhe kopje të dokumentave.

Në letrën e sotme për Gjykatën Kushtetuese, presidenti theksoi se parashtrimi i çështjes nga palët në seancë kërkohet të jetë 60 minuta, por kjo rregullore e re nuk ishte në fuqi në hapat e mëparshëm, sepse nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare.

Presidenti Meta u njoftua të merrte pjesë për parashtrimin e pretendimeve në seancën plenare publike më 18 janar, por kjo seancë u shty më 1 shkurt.

Ai ka kërkuar procedim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji për shkelje të procedurave në shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019 nga Gjykata.

Gjykata Kushtetuese ka në dorë dhe vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Javën e ardhshme është parashikuar dhe një seancë publike për këtë çështje. Presidenti mund të shfrytëzojë kërkesën për procedim disiplinor nga anëtares së Gjykatës Papajorgji, për të kërkuar përjashtimin e saj nga gjykimi për shkarkimin e tij për shkak të “konfliktit të interesit”.

Së pari gjyqtarja është ajo që vlerëson, nëse duhet të tërhiqet ose jo. Në rast se vendos tërheqjen, sërish fjalën e fundit e ka Kryetari i Gjykatës.

Tërheqja e një anëtari, kur Gjykata është me 7 gjyqtarë, ngushton rrezen e vendimmarrjes, e cila në rastin e Kushtetueses kërkon 5 vota pro ose kundër, pasi në të kundërt gjykata nuk shprehet dot me një vendim.

Gjyqtarja Papajorgji ka qenë relatore e çështjes, dhe sipas kërkesës, asaj i është besuar dosja në shkelje të ligjit, duke mos u hedhur më parë shorti.

Presidenti vlerëson se pyetjet që Gjykata Kushtetuese i dërgoi Komisionit të Venecias, nuk kishin përfshirë çështjet e ngritura nga disa prej palëve në proces, duke favorizuar në këtë mënyrë, sipas tij, palën tjetër, që ishte Qeveria dhe parlamenti, si dhe duke paraqitur faktet në mënyrë të shtrembëruar.

Sipas kërkesës, “këto veprime të relatorit të çështjes, krijojnë idenë se janë kryer jo vetëm për përfitime të padrejta (në rastin konkret në formën e një kthimi të “shpërblimit” për organin e emërtesës që e ka zgjedhur), por edhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm palëve pjesëmarrëse në gjykim, të cilëve u është mohuar e drejta për të marrë përgjigje për pyetjet e ngritura për Komisionin e Venecias, me ndikim direkt edhe në mënyrën se si Gjykata Kushtetuese do të orientonte më pas zgjidhjen e çështjes të paraqitur para saj për shqyrtim. Mosdërgimi i pyetjeve të palëve në Komisionin e Venecias, veç të tjerash bie në kundërshtim me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese të datës 23.6.2021”.

Komisioni i Venecias në Opinionin e vet u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk kishte kompetencë për vlerësimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Vendimi i mëpasshëm i Gjykatës ishte po në këtë linjë.

Socialistët në pushtet duken të vendosur për largimin para kohe të Presidentit nga detyra. Përfaqësuesit e tyre më të lartë janë shprehur për zgjedhjen e një presidenti në muajin prill, 3 muaj përpara korrikut, që është mbyllja e mandatit të plotë presidencial.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ndarja e Alvisës me Bashkimin: Plas sherri mes Albit dhe Brunos

Story i radhës

Parashikimi i motit në Kosovë

Të fundit nga

ShkoLartë