Presidenti Stevo Pendarovski sot do të jetë nikoqir i presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Presidenti Mattarella do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, me çka do të pasojë takim sy më sy i presidentëve Pendarovski dhe Matarela dhe takim plenar i delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Italisë.
Presidentët Pendarovski dhe Mattarella deri tani kanë pasur takime në Romë në nëntor 2019 dhe në maj 2021. Siç njofton ambasada italiane, pas takimit me Pendarovskin, Matarela do të drejtohet drejt Kuvendit ku do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Në kuadër të mbledhjes formale, ai do t’u drejtohet deputetëve dhe përfaqësuesve civilë e fetarë të vendit. Në kuadër të vizitës në kishën “Shën Shpëtimi” në Shkup, presidenti Mattarella dhe presidenti Pendarovski do të vendosin kurora lulesh mbi varrin e Goce Dellçevit.
Në orët e pasdites edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski do ta presë presidentin Mattarella dhe delegacionin e tij. Pas takimit me përfaqësues të komunitetit italian në vend, shefi i shtetit në orët e mbrëmjes do të lëshojë kryeqytetin.
Mattarella mbrëmë arriti për vizitë zyrtare në vend, ndërsa në aeroportin e Shkupit është pritur nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.