Presidenti iranian do të realizojë vizitën e parë në Siri që nga viti 2011

TEHERAN (AA) – Presidenti iranian Ebrahim Raisi do të vizitojë Sirinë të mërkurën, që do të jetë vizita e parë e një lideri iranian në vendin arab në më shumë se një dekadë, transmeton Anadolu.

Ambasadori iranian në Damask, Hossein Akbari, në një deklaratë të cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, ka thënë se Raisi do të jetë në Siri për një vizitë dyditore “shumë të rëndësishme”.

Ai ka thënë se vizita do të jetë një “pikë kthese” në rajon me “efekte pozitive” për shkak të zhvillimeve që po ndodhin, duke iu referuar përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Sirisë dhe fqinjëve të saj arabë.

Tensionet kohët e fundit kanë filluar të zbuten midis regjimit sirian dhe një numri vendesh arabe, duke përfshirë Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Omanin dhe Bahreinin, në një përpjekje për të normalizuar lidhjet e tyre.

Irani, i cili ka qenë mbështetës i vendosur i regjimit të Bashar Al-Asadit, gjithashtu kohët e fundit ra dakord të rivendosë lidhjet diplomatike me Arabinë Saudite në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Pekini pas dy vjet negociatash.

Vizita e Raisit në Damask do të jetë e para nga një president iranian që nga viti 2011. Mahmoud Ahmadinejad ishte presidenti i fundit iranian që vizitoi vendin arab në shtator 2010.

“Kjo vizitë jo vetëm që do të jetë e dobishme për Teheranin dhe Damaskun, por është gjithashtu një ngjarje shumë e mirë nga e cila mund të përfitojnë edhe vendet e tjera në rajon”, ka thënë Akbari.

Ai ka shtuar se vizita do të ketë “efekte rajonale dhe jashtërajonale” dhe gjithashtu do të ndihmojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Teheranit dhe Damaskut në fusha të ndryshme.

Akbari ka thënë se udhëtimi i Raisit mund të “hapë një hapësirë dhe kapitull ndërveprimi midis vendeve që kundërshtojnë sistemin e dominimit”, duke iu referuar sanksioneve të SHBA-së.

Në një postim në Twitter të shtunën, Mohammad Jamshidi, zëvendësshefi i shtabit të Raisit për çështjet politike, konfirmoi se presidenti iranian do të vizitojë Sirinë, pa specifikuar ndonjë datë.

“Azia Perëndimore ka pësuar një periudhë të tensionuar ndryshimesh gjeopolitike me dy rezultate: fitoren e Iranit dhe dështimin e SHBA-së”, tha ai. “Kjo rezistencë do të festohet në vizitën e presidentit Raisi në Siri”, shtoi Jamshidi.

E përditshmja siriane “Al-Watan” raportoi të shtunën se Raisi do të nisë një vizitë dyditore në Siri gjatë së cilës do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh midis dy palëve.

Në fillim të këtij muaji, Raisi dhe Asadi në një bisedë telefonike nënvizuan angazhimin e tyre për të vazhduar koordinimin dhe konsultimin për të mirën e dy vendeve dhe rajonit, tha zyra e Raisit.

Telefonata ndodhi disa ditë pasi dy anëtarë të Gardës Revolucionare iraniane u vranë në një sulm ajror izraelit pranë Damaskut, pas të cilit Irani u zotua për një “përgjigje të fortë”.





Story i mëparshëm

Aubameyang drejt rikthimit te Barcelona me parametra zero

Story i radhës

Këlliçi takim me banorët e Qesarakës dhe Freskut, fton Veliajn në debat publik: Flasim dhe për shkollimin tonë

Të fundit nga