Kryetar i Grupit Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu kërkoi sot përmes një konference për mediat që opozita të negociojë si një trupë e vetme në procesin për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
““Kushtetuta përcakton rolin e mënyrën e zgjedhjes, nevojën për një president mbi palët politike. Zgjedhja me shumicë të thjeshtë përcaktohet vetëm si nevojë kur garantohet konsensusi jo i mjet për të tejkaluar konsensusin e nevojshëm për t’i dhënë vendit një President me autoritet e nevojshme që procesi të synojnë konsensusin e jo ndarjen politike për të zgjedhur president që përfaqeson interesa të caktuar politike.
Nisur nga sa më sipër në emër të grupit ‘Aleanca për Ndryshim’ propozoj: Opozita ka detyrimin për të ofruar një proces konsensual. Për këtë ka nevojë të negociojë si një trup e vetme me një përfaqësi që duhet rënë dakord si trup negociimi me përfaqësi të plotë të mandatit opozitar.
E dyta në këto negociata duhen përcaktuar kriteret e fushat që të garantojnë një president mbi palët. Propozimi e përzgjedhjes nga fusha e politikës diplomatike e asaj akademike do ishin bazë e mirë për nisjen e negociatave.” u shpreh Mediu.
Deklarata e Mediut vjen një ditë pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili njoftoi se do të nisë nesër, e mërkurë, konsultimet me grupet parlamentarë të opozitës për Presidentin e ri të Republikës.
Në këtë legjislaturë opozita përfaqësohet nga tre grupe parlamentare, përkatësisht: Grupi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, me kryetar Enkelejd Alibeajn, Grupi i Aleancës për Ndryshim, me kryetar Fatmir Mediun si edhe Grupi për Demokraci dhe Integrim, me kryetare Mesila Dodën.