Presidenti i Polonisë: Sulmi besohet të jetë i paqëllimshëm nga forcat ukrainase

min lexim

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha të mërkurën se nuk ka asnjë indikacion që shpërthimi i së martës në Poloni, që vrau dy persona, të ketë qenë “sulm i qëllimshëm”, duke shtuar se më shumë gjasa ka që të ketë qenë vetëm një fatkeqësi.

Ai shtoi se besohet që raketa e cila goditi një fshat kufitar në Poloni ishte e mbrojtjes ajrore ukrainase, por gjithashtu tha se përgjegjësia përfundimtare i takon Rusisë, që nisi një varg sulmesh me raketa drejt Ukrainës të martën.

“Absolutisht asgjë nuk jep indikacione që ky ishte një sulm i qëllimshëm mbi Poloninë… Ka shumë gjasa që ishte një raketë e përdorur për mbrojtje, që do të thotë se po përdorej nga forcat e mbrojtjes të Ukrainës”, tha Duda të mërkurën.

Ministria e Jashtme polake tha se një raketë e prodhuar nga Rusia ra në fshatin Przewodow, në Poloninë lindore, rreth gjashtë kilometra larg kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona më 15 nëntor, pas një dite granatimesh masive ruse të Ukrainës.

Ndërkohë, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha se Polonia është ende duke e shqyrtuar mundësinë e aktivizimit të Nenit 4 të NATO-s, por shtoi se duket që një gjë e tillë të mos jetë e nevojshme.

Sipas këtij neni, vendet anëtare mund të ngrenë shqetësimin kur ndiejnë se “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre” janë në rrezik. Ndërsa, Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se sulmi ndaj një vendi anëtar të aleancës ushtarake, është sulm ndaj të gjithëve.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, thirri një takim të liderëve të mbledhur në Bali të Indonezisë për samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20.

Polonia e vendosi ushtrinë e saj në gjendje gatishmërie të shtuar, pas takimit urgjent që mbajti Këshilli i saj i Sigurisë Kombëtare.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Jamie Shea: NATO-ja duhet ta përforcojë mbrojtjen për vete

Story i radhës

Pelin Batu, aktorja dhe historianja turke, zbulon prejardhjen shqiptare

Të fundit nga