Presidenti i Koresë së Jugut përballet me shkarkim për shkak të ligjit ushtarak

December 4, 2024
min lexim

Partitë opozitare të Koresë së Jugut e dorëzuan të mërkurën një mocion për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol, i cili po përballet me trysni për të dhënë dorëheqje disa orë pasi përfundoi ligji jetëshkurtër ushtarak i shpallur nga ai.

Mocioni, i dorëzuar bashkërisht nga partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, dhe pesë parti të tjera më të vogla opozitare, mund të hidhet në votim hiç më larg se të premten.

Këshilltarët e lartë dhe sekretariati i Yoonit e kanë ofruar dorëheqjen kolektivisht. Ndërkohë, anëtarët e kabinetit të tij, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Kim Yong Hyun, përballen gjithashtu me thirrje për dorëheqje.

Të martën në mbrëmje, Yoon papritur e shpalli ligjin ushtarak, duke u zotuar t’i shfaroste forcat “antishtetërore”, pasi hasi në vështirësi për ta shtyrë përpara agjendën e tij në Parlamentin e mbizotëruar nga opozita. Por, ligji i tij ushtarak u zbatua për vetëm rreth gjashtë orë, pasi Asambleja Kombëtare votoi për ta rrëzuar atë.

Partia Demokratike liberale në opozitë, e cila ka shumicën në Parlamentin me 300 ulëse, tha të mërkurën se deputetët e saj vendosën t’i bënin thirrje Yoonit të japë dorëheqjen menjëherë, ose ata do të ndërmarrin hapa për ta shkarkuar atë.

“Shpallja e ligjit ushtarak nga presidenti Yoon Suk Yeol ishte shkelje e qartë e Kushtetutës. Nuk i përmbushi asnjë nga kërkesat për shpalljen e tij”, tha Partia Demokratike në një komunikatë.

“Shpallja e ligjit ushtarak nga ai ishte fillimisht e pavlefshme dhe shkelje e rëndë e Kushtetutës. Ishte një akt i rëndë rebelimi dhe ofron baza të përsosura për shkarkimin e tij”, sipas saj.

Për ta shkarkuar Yoon nevojiten dy të tretat e votave në Parlamentit, apo votat e 200 nga 300 anëtarët e tij. Partia Demokratike dhe partitë e tjera të vogla opozitare së bashku kanë 192 ulëse. Por, kur Parlamenti e rrëzoi shpalljen e ligjit ushtarak nga Yoon, me një votim 190-0, 18 deputetë nga partia e Yoon, Fuqia e Popullit, votuan për ta rrëzuar ligjin ushtarak, sipas zyrtarëve të Asamblesë Kombëtare.

Nëse Yoon shkarkohet, atij do t’i hiqet pushteti kushtetues derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për fatin e tij. Kryeministri Han Duck-soo, njeriu numër dy në Qeverinë e Koresë së Jugut, do t’i marrë përsipër përgjegjësitë presidenciale.

Të paktën gjashtë nga nëntë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet ta mbështesin mocionin e paraqitur nga deputetët që Yoon të shkarkohet nga detyra. Por, tani për tani gjykata ka vetëm gjashtë gjyqtarë pas daljes në pension të tre prej tyre, që është një më pak se minimumi prej shtatë gjyqtarësh të nevojshëm për ta trajtuar një çështje si shkarkimi i presidentit.

Pas vendimit të Yoon për ta shpallur ligjin ushtarak, trupat e pajisura me armatim të plotë luftarak, përfshirë pushkë, tentuan t’i mbanin protestuesit larg Asamblesë Kombëtare, ndërsa helikopterët ushtarakë fluturonin mbi dhe përreth dhe ateronin në afërsi.

Nuk është e qartë se si 190 deputetët ishin në gjendje të futeshin në sallën e Parlamentit për të votuar për rrëzimin e vendimit të Yoon për shpalljen e ligjit ushtarak.

Nuk është raportuar se ka pasur dhunë të madhe. Ushtria dhe policia u larguan vonë nga mjediset e Asamblesë Kombëtare pas votimit të deputetëve për ta rrëzuar ligjin ushtarak.

Lideri i Partisë Fuqia e Popullit, Han Dong-hun, i kërkoi Yoon-it të shpjegojë pse e mori atë vendim dhe ta shkarkojë ministrin e Mbrojtjes Kim Yong Hyun, i cili e kishte këshilluar ta shpallte ligjin ushtarak.

Sipas Kushtetutës së Koresë së Jugut, presidenti mund ta shpallë ligjin ushtarak gjatë “kohës së luftës, situatave të ngjashme me luftën, ose gjendjeve të tjera emergjente kombëtare”, të cilat kërkojnë përdorimin e forcave ushtarake për ta kufizuar lirinë e shtypit, tubimeve dhe të drejtave të tjera për të ruajtur rendin.

Shumë vëzhgues vënë në dyshim nëse Koreja e Jugut është aktualisht në një gjendje të tillë.

Kushtetuta gjithashtu thekson se presidenti duhet ta respektojë kërkesën e Asamblesë Kombëtare për heqjen e ligjit ushtarak me një votim shumice.

Disa ekspertë thonë se Yoon qartazi ka shkelur Kushtetutën në mënyrën se si ai e shpalli ligjin ushtarak. Ndërsa ligji ushtarak lejon “masa speciale” për të kufizuar liritë individuale dhe autoritetin e agjencive dhe gjykatave, Kushtetuta nuk lejon që puna e Parlamentit të kufizohet.

Por, duke e zbatuar vendimin e Yoon të martën, Ushtria e Koresë së Jugut shpalli pezullimin e aktiviteteve parlamentare dhe dërgoi trupa për të mos i lejuar deputetët të hynin në Asamblenë Kombëtare./REL

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Çfarë është ‘pig butchering’ fenomeni që mund të biesh viktimë edhe ti

Story i radhës

Komuna dhe afaristët e Dragashit kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike

Të fundit nga

Hamza Ameti: Bashkë mund ta ndalojmë dhunën!

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale- Shkup, Hamza Ameti, në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës”, ka folur për rëndësinë e luftës kundër dhunës dhe për rolin që secili prej
ShkoLartë