Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë një intervistë për legjendën e këtij klubi, Hristo Stoiçkov. Ish-sulmuesi bullgar i Barcelonës punon aktualisht për televizionin “TUDN” dhe gjatë intervistës me Laportën i ka marrë atij shumë detaje në lidhje me transferimin e Levandovskit nga Bajerni si dhe objektivat e klubit në merkato, që me sa duket, është lart të qenit e konsideruar e mbyllur.
Laporta ka rrëfyer për “TUDN” se nuk ka qenë e lehtë për të firmosur me Levandovskin, sepse ajo që në plan të parë dukej shumë e thjeshtë, në realitet ka qenë ndryshe. Ai ka treguar se i është dashur të përballet me rivalitetin e ashpër të Çelsit dhe Paris SG-së për polakun.
“Fillimisht kemi bërë një ofertë prej 45 milionë eurosh plus 5 të tjera në formë bonusesh.
Kjo shumë ishte brenda mundësive tona. Veç kësaj lojtari pranoi të rishikonte pagën e tij. Nuk ka qenë e lehtë, mos e shihni kështu. Kemi rivalizuar me klube të forta si Çelsi e Paris SG-ja, por në fund vendimtare ishte dëshira e Levandovskit për të ardhur te Barcelona.
Siç thoshte edhe Joahn Krojf, kjo është gjëja që më ka kënaqur më shumë, dëshira e vetë lojtarit për të luajtur me Barçën.
Ne duhet ta falënderojmë atë sepse ka pranuar të vijë për më pak para, si dhe duke përballuar një presion të madh nga Bajerni”, ka thënë numri një i klubit.
Ardhja e polakut është parë si një goditje e madhe në “Camp Nou”. Por ka pasur dhe nga ata që kanë shfaqur pikëpyetje, duke parë moshën e tij. Në gusht ai mbush 34 vjeç, por një gjë e tillë nuk e shqetëson Laportën. “Ai është një profesionist i shkëlqyer dhe tepër i kujdesshëm. Bashkëshortja e tij është nutricioniste dhe kur ke një grua që të kontrollon çdo gjë…”, ka thënë Laporta me humor. Laporta nuk e ka harruar pa përmendur faktin se Leva është një sulmues që Barça e dëshironte me çdo kusht:
“Barcelonës i nevojitej një sulmues si ai. Ai është si një mitraloz. Do të jemi një dyshe ideale”.
Gjatë intervistës së tij për Stoiçkovin, Laporta i është kthyer sërish legjendës Johan Krojf, duke nënvizuar se edhe holandezit do t’i kishte pëlqyer të shihte Levandovskin me fanellën “blaugrana”.
“Jam i bindur se edhe Krojfit do t’i kishte pëlqyer një lojtar si Leva. Është një goleador race, i ndryshëm nga ata çfarë kemi pasur. Jam i bindur se së bashku me të tjerët në ekip do të na garantojë gola e spektakël”, ka thënë Laporta. Në fund presidenti i Barçës nuk ka harruar të shtojë se merkatoja e klubit nuk ka mbaruar ende dhe se objektivi i radhës është përforcimi i mbrojtjes.
“Mendoj se me sulmin jemi top. Tani duhet të punojmë më shumë për mbrojtjen. Ksavi ka piketuar disa lojtarë, të shohim se çfarë do të bëj”.