Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka takuar presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, raporton Anadolu.
Takimi i mbyllur për mediat u zhvillua në Qendrën e Ekspozitave dhe Kongreseve Lituaneze (LITEXPO) në kryeqytetin lituanez Vilnius.
Në llogarinë e tij në twitter, Michel tha se në takim u “eksploruan mundësitë përpara për të rikthyer në plan të parë bashkëpunimin BE-Türkiye dhe për të ri-energjizuar marrëdhëniet tona”.
Michel shtoi se Këshilli Evropian i ka kërkuar përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Komisionit Evropian që të paraqesin një raport me “synimin për të vazhduar në mënyrë strategjike dhe largpamëse”.
Ai tha se gjithashtu përgëzoi presidentin Erdoğan për “rolin qendror që Türkiye luajti në ndërmjetësimin dhe sigurimin e Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi”.
“Ne gjithashtu diskutuam pranimin e Suedisë në NATO, gjithashtu në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve BE-Türkiye”, tha ai.
Më herët, presidenti turk u takua me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.
Erdoğan ndodhet në Vilnius për të marrë pjesë në samitin e liderëve të NATO-s që do të mbahet më 11 dhe 12 korrik, ku liderët e aleancës do të diskutojnë luftën në Ukrainë, anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe hapat për të forcuar mbrojtjen dhe parandalimin e aleancës.
Para se të nisej për në Vilnius, Erdoğan tha se në samit do të kërkojë për të hapur rrugë për pranimin e Ankarasë në BE, në mënyrë që Türkiye të hapë rrugën për anëtarësimin e Suedisë në NATO.