Presidenti Erdoğan nesër në Greqi për vizitë zyrtare

min lexim

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan të enjten do të zhvillojë një vizitë njëditore në kryeqytetin e Greqisë Athinë për të zhvilluar bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, transmeton Anadolu.

Erdoğan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të bashkëkryesojnë takimin e 5-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Türkiye-Greqi për të shqyrtuar të gjitha aspektet e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të adresuar hapat për përmirësimin e bashkëpunimit, tha në një deklaratë Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.

Në agjendën e diskutimeve do të jenë edhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Në kuadër të vizitës pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje të ndryshme dhe memorandume mirëkuptimi, të cilat do të forcojnë bazën kontraktuale të marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në njoftim.

Türkiye dhe Greqia kanë përjetuar një marrëdhënie të trazuar gjatë viteve. Edhe pse viti 2021 pati disa përmirësime, disa çështje mbeten të pazgjidhura mes dy vendeve fqinje.

Türkiye, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, ka protestuar ndaj veprimeve dhe retorikës së përsëritur provokuese të Greqisë në rajon vitet e fundit, duke përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që janë çmilitarizuar sipas traktateve të vjetra, duke thënë se lëvizje të tilla pengojnë përpjekjet e saj drejt paqes.





Story i mëparshëm

Media e madhe gjermane ngre alarmin: Kujdes, Shqipëria kërkon një super-talent

Story i radhës

FC Ferizaj: Ne nuk do të qëndrojmë të heshtur në afatin kalimtar 

Të fundit nga