Presidenti Joe Biden njoftoi të martën planet për të zgjeruar qasjen në kujdesin shëndetësor duke propozuar ndryshime ndaj Ligjit për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm (ACA). Kjo do t’i mundësojë miliona familjeve amerikane të blejnë siguracion shëndetësor dhe të përfitojnë kredite kundrejt taksave, duke ulur kështu edhe barrën financiare.
“Kur të jetë finalizuar propozimi i sotshëm, duke filluar nga viti në vazhdim, familjet e punonjësve mund të marrin ndihmë kur iu nevojitet, për të plotësuar mbulimin me siguracion shëndetësor të të gjithë familjes. Për të gjithë familjen”, tha Presidenti Biden gjatë fjalës së tij në Shtëpinë e Bardhë, përpara se të nënshkruante urdhërin ekzekutiv për të përmirësuar qasjen tek Ligji për Kujdesin Shëndetësor të Përballueshëm (ACA) dhe programin Medicaid.
Presidenti Biden shoqërohej nga Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Barack Obama, i cili në mars 2010 e nënshkroi në fuqi këtë ligj me efekte të gjera, që u njoh në vazhdim më tepër si Obamacare.
Presidenti Biden duke u duartrokitur nga ish-Presidenti Obama dhe nga Nënpresidentja Harris (5 prill 2022)
Kjo është vizita e parë e ish-Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë që kur la detyrën në vitin 2017, pas dy mandatesh me zotin Biden si nënpresident.
“Joe Biden dhe unë arritëm shumë”, tha ish-Presidenti Obama. “Por asgjë nuk më bëri më krenar se ofrimi i kujdesit më të mirë shëndetësor dhe mbrojtjes për miliona njerëz në mbarë vendin”.
Propozimi për të ndryshuar rregullat e ligjit ACA do të ndreqin të ashtuquajturën mangësi për familjet, ku sipas rregullave aktuale, anëtarët e familjes së individit që blen siguracionin shëndetësor nëpërmjet punëdhënësit, nuk mund të kërkojnë që t’ju njihet si kredite për taksat, megjithëse këtë siguracion e kanë të domosdoshëm. Sipas Shtëpisë së Bardhë, nga ky boshllëk ligjor preken rreth 5 milionë njerëz.
Ndryshimi i propozuar vlen për individët në njësi familjare që shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave të tyre për siguracion shëndetësor. Sipas një zyrtari të lartë të administratës që informoi gazetarët, kjo do t’i mundësojë 200 mijë personave të pasiguruar që të fitojnë mbulim shëndetësor, si dhe do të ulë pagesat për miliona individë të tjerë.
Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm i industrializuar që nuk ofron kujdes shëndetësor universal për shtetasit e tij. Sipas Byrosë së Censusit të Shteteve të Bashkuara, rreth 8.6% e popullsisë, ose 28 milionë, nuk patën siguracion shëndetësor gjatë vitit 2020.