Presidenti Biden: Pushtimi rus në shkurt, mundësi e dukshme

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden paralajmëroi të enjten presidentin e Ukrainës se ekziston një “mundësi e dukshme” që Rusia të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës në muajin shkurt. Kremlini gjithashtu paraqiti një pamje të zymtë, duke thënë se shihte “pak vend për optimizëm” në zgjidhjen e krizës, kjo pasi SHBA-ja këtë javë, refuzoi sërisht kërkesat kryesore të Rusisë.

Zyrtarët rusë thanë se dialogu ishte ende i mundur për t’i dhënë fund krizës, por Presidenti Biden ofroi një paralajmërim të qartë mes shqetësimeve në rritje se Presidenti rus Vladimir Putin, do të japë dritën jeshile për një pushtim të territorit ukrainas, në një të ardhme jo shumë të largët.

Shtëpia e Bardhë tha se komentet e Presidentit Biden gjatë një bisede telefonike me homologun e tij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh.

“Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Emily Horne.

“Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë”, shtoi ajo.

Rusia: Pak vend për optimizëm për lehtësimin e tensioneve

Më herët të enjten Rusia tha se kishte “pak vend për optimizëm” për zbutje të tensioneve në Evropën Lindore pasi siç thanë autoritetet e këtij vendi, Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e saj që Ukraina të mos lejohet të anëtarësohet në NATO dhe që Perëndimi të tërheqë trupat dhe armatimet nga vendet në kufi me Rusinë.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave të saj “nuk ishte pozitive“, por shtoi se disa elementë të saj mund të çojnë në “fillimin e bisedimeve serioze për çështje dytësore“. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë hedhur poshtë kërkesat kryesore të Moskës duke i quajtur ato si të papranueshme.

Diplomati i lartë i Kremlinit tha se zyrtarët do t’i paraqesin propozime Presidentit Vladimir Putin. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se Moska do të reagojë së shpejti, duke shtuar se “ka gjithmonë mundësi për të vazhduar dialogun. Është në interesin tonë dhe të amerikanëve”.

Zyrtarët e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë zhvilluan bisedime të mërkurën në Paris dhe ranë dakord për një raund tjetër bisedimesh që do të mbahen në Berlin, në javën e dytë të muajit shkurt. Palët ranë dakord për një armëpushim zyrtar në Ukrainën lindore, sipas Dmitry Kozak, i dërguari i Kremlinit.

“Ne kemi nevojë për një pauzë shtesë. Shpresojmë që ky proces të ketë rezultate brenda dy javësh“, tha ai.

Bisedimet e shkurtit do të zhvillohen në të njëjtin nivel diplomatik sikurse bisedimet e Parisit. Në rendin e ditës nuk është parashikuar ndonjë takim i nivelit të lartë mes krerëve të shteteve.

“Asgjë nuk ka ndryshuar, ky është lajmi i keq”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba. “Lajmi i mirë është se këshilltarët ranë dakord të takohen në Berlin pas dy javësh, që do të thotë se Rusia për dy javët e ardhshme, ka të ngjarë t’i qëndrojë rrugës diplomatike”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, që druhen se Rusia mund të pushtojë së shpejti Ukrainën, vazhdojnë të protestojnë kundër grumbullimit të më shumë se 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit të saj me republikën e dikurshme sovjetike, megjithëse Moska thotë se nuk ka në plan të sulmojë.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se dokumenti që SHBA-ja i dorëzoi Rusisë: “përfshin shqetësimet e Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve tanë në lidhje me veprimet e Rusisë që minojnë sigurinë- një vlerësim parimor dhe pragmatik të shqetësimeve që Rusia ka ngritur, dhe propozimet tona për çështjet ku mund të gjejmë gjuhën e përbashkët”.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden, ndërsa përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë, vazhdimisht e ka paralajmëruar Rusinë se Perëndimi do të vendosë sanksione ekonomike të ashpra kundër saj, nëse sulmon Ukrainën.

Zoti Peskov tha se Presidentët Putin dhe Biden do të vendosin nëse duhet të zhvillojnë të tjera bisedime lidhur me ngërçin diplomatik të krijuar, pas dy telefonave të zhvilluara muajin e kaluar.

Zoti Kuleba tha se Kievi e kishte parë përgjigjen e SHBA-së drejtuar Rusisë, përpara se t’i dorëzohej Moskës.

“Nuk kishte asnjë kundërshtim nga pala ukrainase”, tha zoti Kuleba. “Është e rëndësishme që SHBA-ja të mbetet në kontakt të ngushtë me Ukrainën, para dhe pas të gjitha kontakteve me Rusinë. Nuk ka vendime për Ukrainën, pa Ukrainën. Ky është rregulli i artë”, tha ai.

Një gjë me të cilën ra dakord edhe Sekretari Blinken. Në një postim në Twitter, ai shkruante: “Asgjë për Ukrainën, pa Ukrainën”.

Ndërsa Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, shkëmbejnë kërkesa, të dyja palët kanë rritur përgatitjet ushtarake. Rusia ka nisur stërvitjet ushtarake që përfshijnë njësi të motorizuara të këmbësorisë dhe artilerisë në Rusinë jugperëndimore, avionë luftarakë në Kaliningrad në detin Baltik, dhjetëra anije luftarake në detin e Zi dhe Arktik, si dhe avionë luftarakë rusë e parashutistë në Bjellorusi.

NATO, aleanca ushtarake perëndimore prej 30 vendesh, tha se po rrit praninë e saj në rajonin e detit Baltik dhe SHBA-ja ka vendosur në gjendje gatishmërie të lartë 8,500 trupa, të gatshëm për t’u dislokuar në Evropë si pjesë e një operacioni të NATO-s.

Sekretari i Shtypit i Pentagonit John Kirby tha se forcat amerikane që ndodhen aktualisht në Evropë, disa tashmë në gjendje gatishmërie të lartë, mund të mobilizohen gjithashtu “për të përforcuar praninë e aleatëve tanë të NATO-s, nëse ata do të kishin nevojë”.

“Ne vazhdojmë të shohim, përfshirë në 24 orët e fundit, më shumë grumbullim të forcave luftarake nga rusët në pjesën perëndimore të vendit të tyre dhe në Bjellorusi“, u tha ai gazetarëve të enjten.

Zoti Kirby tha gjithashtu se SHBA-ja po përgatit ndihmë shtesë, për ushtrinë e Ukrainës, krahas asaj të dërguar gjatë ditëve të fundit.

“Ne jemi vetëm në fillimin e një pakete krejtësisht të re të ndihmës”, tha ai, duke mos pranuar të ndajë detaje rreth përmbajtjes. “Ne po përpiqemi të shohim nëse mund t’i përshpejtojmë ato“, shtoi zoti Kirby.

Zoti Kuleba tha se Ukraina nuk po planifikon asnjë veprim ofensiv dhe se Kievi pret që përpjekjet diplomatike për të trajtuar krizën përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë të vazhdojnë.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj rrugës diplomatike dhe jemi të gatshëm të angazhohemi me Rusinë në nivele të ndryshme për të gjetur (një) zgjidhje diplomatike për konfliktin”, tha zoti Kuleba në një konferencë shtypi. “Megjithatë, nëse Rusia vendos të luftojë, ne do t’i përgjigjemi. Ky është vendi ynë dhe ne do ta mbrojmë atë”, tha ai.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Horoskopi për ditën e shtunë, 29 janar 2022

Story i radhës

Historia pas fotos së këtij të mbijetuari të vetmuar

Të fundit nga