Premtimi i kryeministrit Edi Rama për të dërguar në orbitë dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” ka vënë në lëvizje institucionet shtetërore dhe në veçanti Policinë e Shtetit për të listuar shërbimet që do përfitonin nga kjo nismë.
Edhe pse satelitet nuk u ngritën kurrë, në e-mailet e Policisë së Shtetit, të hakeruar ditën e sotme kanë dalë në pah lista e gjatë e shërbimeve që institucioni i drejtuar nga Gledis Nano synonte të përfitonte.
Në e-mailin e funksionares së Policisë u kërkohej drejtuesve të institucioneve që të kërkonin shërbime foto dhe video nga statelitet.
“Në zbatim të Urdhërit të Përbashkët – GPN TIK, ditën e premte është zhvilluar takimi i pare Teknik, për përcaktimin e termave të referencës, me qëllim zhvillimin e procedurës për marrjen e shërbimit prej 2 satelitëve, me qëllim monitorimi. Informacioni i përftuar do të kërkohet në format imazhi apo vidio. Në këto momente kërkohet nga çdo institucion, përcaktimin e shërbimit që mendon të marrë, në përputhje të detyrave funksionale, psh në rastin e PSH: monitorimi i kufirit, zonat me presence të lëndëve narkotike, monitorim grumbullimesh masive etj.
Për sa më sipër, lutem caktimin e një personi përgjegjës, nga strukturat që ju drejtoni, për dhënien e informacionit të kërkuar. Ky informacion do të përcillet zyrtarisht brenda orarit zyrtar të ditës së nesërme”, thekson emaili e publikuar në rrjet nga funksionarja e Policisë.
Ndërkohë që në listën e e-maileve të Gledis Nanos janë listuar dhe “Nevojat e Policisë së Shtetit për shërbim satelitor”, theksohet se do ketë luftë ndaj kriminalitetit, për ndjekjen e ngjarjeve kriminale, luftën ndaj kultivimit të lëndëve narkotike, po ashtu dhe ndërtimeve pa leje etj.
“Në zbatim të detyrimeve të Urdhrit të Përbashkët – GPN TIK për zhvillimin e procedurës për marrjen e shërbimit prej 2 satelitëve me qëllim monitorimi, më poshtë do të gjeni shërbimet që PSH mund të përfitoj, në përputhje me fushën e veprimit dhe përgjegjësisë ligjore:
Rendi dhe Siguria
– Ndjekja dhe monitorimi i aktiviteteve masive dhe tubimeve me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve.
– Analizë e ngjarjeve kriminale, sidomos të atyre të ndodhura në ambiente të hapura. Kjo jo vetëm me interes për identifikimin e autorëve të krimit por edhe rrethanave të ndodhjes së tij, automjetet dhe mjeteve të krimit, rrugët/drejtimet e largimit të automjeteve të autorëve të ngjarjes, etj.
– Monitorim me qëllim lokalizim të vendndodhjes së turistëve dhe shtetasve në rastet e kërkesës për ndihmë (siç mund të jenë rastet e turistëve/shtetasve të izoluar në terrene të thyera malore, apo në det të hapur, etj).
– Monitorim i ndërtimeve pa leje në territor.
– Monitorim të rasteve të ndotjes së mjedisit, shfrytëzimit te inerteve të lumenjve, apo hedhjes së mbeturinave/inerteve pa kriter, etj.
– Monitorim të shfrytëzimit/prerjes së paligjshme të pyjeve, gjueti të paligjshme etj.
– Monitorim të stuatave për rastet e emergjencave civile si; përmbytjet, tërmetet, zjarret, rënie të borës që shoqërohet me bllokim të akseve rrugore, etj.
-Monitorim i situatave lidhur me liqenet artificiale, rezevuaret e ujit, digave të hidrocentraleve etj.
Policia Kriminale
– Monitorimi i rasteve të kontrabandës, jashtë zonës doganore, në kufirin e gjelbërt, në zonat me rrisk si psh liqeni i Shkodrës, Butrinti Sarandë, Qaf Morinë , Morinë Shishtavec, Blladë, Pogradec, Qaf Thanë , Tre Urat, Kapshticë etj.
– Monitorimi i krimeve ambientale, prerja e pyjeve; djegja e pyjeve; shkatërrimi i shtratit të lumenjëve; shfrytëzimet e paligjshme të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura si psh në Valbonë, Theth, Malin e Tomorrit etj;, ndotja e mjedisit në të gjithë komponentet e tij, peshkimi / gjuetia e paligjshme.
– Monitorim dhe evidentim i pasurive të paluajtshme: objekte, toka, etj. në territorin e RSH, duke mundësuar pamje me cilësi të lartë, si edhe krahasim i dinamikës së ndryshimeve të pasurisë në periudha të ndryshme kohore;
– Monitorim i lëvizjes së njerëzve, që përbëjnë interes në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga policia.
– Monitorimin e territorit për Kultivim të Bimëve Narkotike, informacioni që do të përfitohet të jetë në format imazh apo video, dhe të siguroj të dhëna lidhur me koordinatën për vendodhjen e saktë të vendit të fotografuar. Ky informacion duhet të jetë i analizueshëm, me qëllim identifikimin e të dhënave:
O Qarkun përkatës ku ndodhet vendi i fotografuar
o Sipërfaqja në m2 i vendit të fotografuar ku janë konstatuar të kultivuara bimët narkotike
Policia Kufitare
Shqipëria është një vend evropian, mesdhetar dhe ballkanik me lidhje me të gjithë botën përmes porteve në detin Adriatik e Jon dhe aeroportin e Tiranës. Shqipëria, gjithashtu, ka zona të caktuara ujore në detet Adriatik e Jon dhe në Liqenin e Shkodrës, Pogradecit dhe Prespës.
Politikisht Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE, gjeografikisht ndodhet midis Republikës së Greqisë, shtetit anëtar të BE-së, vendeve që kanë statusin e vendeve kandidate të BE (Mali i Zi, Maqedonia) dhe Kosovës, vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, gjë e cila i vendos, autoritetet e shtetit shqiptar, para detyrimit për të miratuar standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë kufitare, për shkak të marrjes së përgjegjësisë relativisht të shpejtë për kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Migracioni, si një proces i vazhdueshëm i lëvizjes së njerëzve, është në qendër të interesit politik jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën, pasi Bashkimi Evropian po përballet me presione të vazhdueshme domethënëse të migracionit. Shqipëria është një vend i Evropës Juglindore dhe Mesdheut dhe ndodhet në kryqëzimin midis Evropës Lindore dhe Perëndimore dhe pjesëve jugore dhe veriore të kontinentit. Për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, është një lidhje natyrore përmes së cilës kalojnë flukse të caktuara migracioni dhe trafiku. Zhvillimi ekonomik, nevojat e tregut të punës dhe veçanërisht lidhjet e transportit që përshkojnë territorin e Shqipërisë dhe kanë kontribuar në flukset e shumta të migracionit.
Duke marrë parasysh pozicionin gjeopolitik, specifikat e kufijve të gjelbër dhe blu, si dhe analizën e rreziqeve, aspektet kryesore të sigurisë së kufijve kanë të bëjnë me:
Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë shtrihet mbi tokë, det, liqene dhe lumenj dhe gjatësia e tij është rreth 1094 km (nëse i shtohet dhe vija bregdetare, gjatësia është 1250 km), si më poshtë:
Kufi tokësor 627 km;
Kufi detar 362 km (perfshirë vijën bregdetare, 472 km);
Kufi liqenor 73 km;
Kufi lumor 78 km.
Sipas shteteve gjatësia e kufirit është si më poshtë:
Me Malin e Zi: gjatësia e kufirit është 220 km, nga tëcilat, 126 km tokësor; 22 km detar, 38 km liqenor, 24 km lumor dhe 8 km perrenj;
Me Kosovën: gjatësia e kufirit eshte 123 km, nga te cilat, 117 km tokesor, 1 km liqenor dhe 5 km përrenj;
Me Maqedoninë: gjatësia e kufirit eshte 186 km, nga te cilat, 137 km tokësor, 28 km liqenor, 12 km lumor dhe 9 km përrenj;
Me Greqinë: gjatësia e kufirit është 349 km, nga të cilat, 247 km tokësor, 78 km detar, 7 km liqenor, 9 km lumor dhe 8 km përrenj.
Kufiri shtetëror i detit territorial me zonën fqinje (det ndërkombëtar) është 262 km.
Hapësira e detit territorial ku RSH zhvillon autoritet të plotë për zbatimin e ligjit është 5041 km.
Në terrritorin e Republikës së Shqipërisë operojnë gjithsej 31 Pika të Kalimit Kufitar të cilat sipas kategorive janë:
1 PKK ajrore (PKK Aeroporti Rinas);
8 PKK detare (PKK Porti Durrës, PKK Porti Vlorë, PKK Porti Sarandë, PKK Porti Shëngjin, PKK Porti Himarë, PKK Porto Romano për transport karburantesh, PKK Petrolifera, PKK Limion);
1 PKK Liqenore (PKK Moli i Qytetit Pogradec, me Maqedoninë e Veriut, Sezonale Verore);
1 PKK Hekurudhore (PKK Bajzë, shërbim i përbashkët me Policinë Malazeze në Tuz);
20 PKK Tokësore (PKK Qafë Botë, PKK Rips, PKK Kakavijë, PKK Tre Urat, PKK Sopik, PKK Kapshticë, PKK Qafë Thanë, PKK Tushemisht, PKK Gorricë, PKK Bllatë, PKK Trebisht, PPKK Morinë, PPKK Qafë Morinë, PPKK Qafë Prush, PPKK Shishtavec, PPKK Orgjost, PPKK Borje, PPKK Çerem, PKK Hani i Hotit, PPKK Muriqan, PKK Bashkim, PPKK Grabon (Aktualisht jo funksionale, por në përfundim të procesit për hapje).
Pikat e Kalit Kufitarar sipas shtetit kufitar janë si më poshtë:
5 PKK me Malin e Zi (nga këto 1 hekurudhore, 3 Pika të Përbashkëta të Kalimit Kufitar);
7 PPKK me Kosovën (7 Pika të Përbashkëta të Kalimit Kufitar);
5 PKK me Maqedoninë e Veriut (nga këto 1 liqenore);
9 PKK me Greqinë (nga këto 3 detare);
5 PKK me Italinë (5 detare).
Kompleksiteti i administrimit të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë përcaktohet nga specifikat e tij: kufiri i gjatë shtetëror në lidhje me sipërfaqen e përgjithshme të territorit të shtetit; një numër i madh i pikave të kalimit kufitar; numër i shumtë i rrugëve që kryqëzojnë vijën e kufirit; kufiri shtetëror që rrjedh përgjatë lumenjve për shkak të niveleve të ulëta të ujit është i përshtatshëm për kalime të paligjshme; vargjet malore e bëjnë të vështirë kontrollin e kufirit të gjelbër dhe si e tillë lehtëson kalimin e flukseve migratore, por edhe krimin ndërkufitar të të gjitha llojeve”, thuhet në shkresën e Policisë së Shtetit.