Prej sot transport me helikopter falas për rastet më urgjente

December 17, 2023
min lexim

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti dhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva sot në Manastir promovuan një helikopter me pajisje të re për ndihmë urgjente mjekësore.

Resursi i ri është siguruar përmes bashkëpunimit me policinë sllovene e cila ka dhuruar pajisje për rinovim të një helikopteri, i cili mund të përshtatet për më shumë helikopterë. Për ndryshimin e plotë të pajisjes nevojiten rreth 15 minuta, ndërsa intervenimi nga cilado anë e vendit mund të kryhet për 40 minuta. Helikopteri ka pajisje mjekësore për transport ajror, ndërsa SPQ “8 Shtatori” do të mundësojë ekip profesionist me përvojë për shoqërim të pacientit.

“Që nga momenti i themelimit të shtetit bashkëkohor maqedonas e deri më sot, nuk kishim resurse me të cilat do të mund ta kryenim transportin e pacientëve në rrugë ajrore. Promovojmë diçka që është me rëndësi të madhe për qytetarët në shtetin tonë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me policinë sllovene dhe veçanërisht në mes dy njësiteve të helikopterëve. Në frymën e miqësisë dhe partneritetit tonë, policia sllovene ka dhuruar pajisje për rinovimin e një helikopteri dhe i njëjti mund të përshtatat për disa helikopterë tanë dhe të bëjmë transport të pacientëve”, theksoi ministri Spasovski.

Ngjarja në Manastir filloi me vonesë sepse helikopteri për ndihmë urgjente mjekësore kishte intervenuar në teren të paarritshëm në fshatin Bukoviq.

“U vonuam për të ndihmuar një person i cili pati një aksident afër fshatit Bukoviq. Është një gjahtar që na është dashur ta transportojmë për shkak të kockave të thyera. Ndihma nëpërmjet Shërbimit për Ndihmë Mjekësore Urgjente nuk ishte e mundur për shkak të terrenit të paarritshëm dhe ne ndihmuam me këtë helikopter mjekësor. Kështu, promovimi i helikopterit u bë sot me ndihmën e duhur mjekësore për një pacient”, deklaroi ministri i Shëndetësisë Mexhiti.

Sipas tij, transporti i shpejtë i pacientëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm në situata urgjente.

“Orën e parë pas fillimit të shfaqjes së gjendjes kritike shëndetësore, ne mjekët e quajmë ‘ora e artë’. Pikërisht në atë kohë intervenimi adekuat dukshëm i përmirëson mundësitë për rezultat pozitiv. Për të gjitha ato situata mjekësore, tani kemi transport shumë të shpejtë”, tha Mexhiti.

Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë Maja Manoleva, helikopteri për ndihmë urgjente mjekësore është një nga projektet më të mëdha në sferën e transportit shëndetësor në vend.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, po fillojmë transportimin e pacientëve me helikopter nga spitalet në rajone të izoluara dhe të paarritshme në rast të kushteve të urgjencës mjekësore, fillimisht deri në SPQ ‘8 Shtatori’, ndërsa në të ardhmen kemi plan për zgjerimin e këtij shërbimi dhe përfshirje të më shumë qendrave mjekësore. Për zbatimin me sukses të projektit, pajisëm helikopter me pajisje mjekësore të SPQ “8 Shtatori”, duke përfshirë monitorë për monitorimin e parametrave vitalë dhe monitorim invaziv, një defibrilator, një bombolë oksigjeni, një aspirator, si dhe medikamente e të tjera pajisje mjekësore shtesë që parashihen sipas diagnozës së pacientëve që do të transportohen. Përveç pajisjeve mjekësore, helikopteri do të përfshijë edhe një ekip mjekësor të përbërë nga një mjek dhe një infermiere. Është e rëndësishme të theksohet se transporti për pacientët është plotësisht falas”, theksoi Manoleva.

Nga Ministria e Shëndetësisë paralajmëruan se planifikojnë formimin edhe të një qendre të veçantë komunikimi përgjegjëse për koordinim, si dhe zgjerim dhe përfshirje të më shumë qendrave mjekësore në shtet.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“Më tha shko dhe fitoje çmimin e madh” – Shqipja tregon se kush e nxiti të hynte në BBVK

Story i radhës

​Deri në ora 14:00 në Preshevë votuan tetë për qind e qytetarëve

Të fundit nga

ShkoLartë