Komuna e Prishtinës, më saktësisht Drejtoria e Mirëqenies Sociale ka marrë vendim në muajin nëntor të 2022-së që nga ky vit të mbështesë financiarisht viktimat e dhunës në familje.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, Adelinë Sahiti, sipas së cilës mbështetja financiare për viktimat e dhunës është paraparë të jetë nga 500 euro në muaj.
Siç bëri të ditur ajo, kjo shumë do të shërbejë për strehim, ushqim si dhe një pjesë për fëmijët.
“Komuna e Prishtinës do të ua ndajë nga 500 euro në muaj viktimave të dhunës, 250 euro për strehim, 150 për ushqim dhe nga 50 deri në 100 euro për fëmijë”, tha Sahiti.
Ajo tha se ky vendim është legjitimuar përmes votimit të asamblistëve të Kuvendit të Komunës më 24.11.2022. Sipas saj, janë disa kritere që duhet të përmbushin të gjithë aplikuesit për të përfituar nga kjo mbështetje.
E, pasi t’i kenë përmbushur Sahiti theksoi se kjo ndihmesë do të zgjasë nga 6 muaj deri në 2 vite.
“Ndihmesa që do t’u ofrohet këtyre viktimave pasi të kenë plotësuar kriteret e përcaktuar në vendim do të zgjasë nga 6 muaj deri në 2 vite. Normalisht që gjithë procesi do të menaxhohet nga Drejtoria e Mirëqenies, më saktësisht nga Qendra për Punë Sociale. Kriteret që duhet plotësuar viktima, fillimisht duhet ta ketë të paraqitur rastin në polici, pastaj të ketë një urdhër mbrojtës të lëshuar nga gjykata, të ketë dokument identifikimi, kontratë të noterizuar për banim, konstatim zyrtar nga QPS, dokument të xhirollogarisë, referim nga strehimorja”, ka thënë ajo.
Tutje Sahiti u shpreh se aplikimet ende nuk kanë filluar meqë vendimi do të nisë së aplikuari që nga janari i këtij viti.
Ky vendim, siç pohoi drejtoresha Sahiti, ka për synim që viktima të pavarësohet e të integrohet në shoqëri, pa qenë e detyruar të kthehet tek dhunuesi.