Tash e dy javë, bashkëshortët Albert dhe Anita Kurtulaj kanë një shqetësim më shumë: ku ta lënë vajzën e tyre tetë vjeçe gjatë kohës që do të duhej të ishte në shkollë, derisa ata të dy punojnë.
Nga 1 shtatori, Albesa do të duhej të fillonte mësimet në klasën e katërt, në Shkollën Fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë.
Por, greva e mësimdhënësve ka lënë afro 300.000 nxënës jashtë bankave shkollore.
Babai i Albesës, Alberti, thotë se pavarësisht përpjekjeve për ta mësuar vajzën në shtëpi, shkolla nuk mund të zëvendësohet.
“Unë mund të punoj me fëmijën tim, mirëpo nuk ka llogaridhënie… as fëmija nuk ndihet shumë përgjegjës para meje, siç ndihet para mësuesit. Është e pamundur të kompensohet humbja që po shkaktohet me mungesën e prezencës së fëmijëve në shkolla”, thotë Alberti për Radion Evropa e Lirë.
Ai shprehet i bindur se shtyrja e fillimit të mësimeve do të shkaktojë pasoja në mësimnxënie si për vajzën e tij, ashtu edhe për bashkëmoshatarët e saj.
“Nuk ka asnjë dilemë që kjo shkakton pasoja. Unë jam i sigurt që fëmijët nuk do t’i arrijnë rezultatet e dëshiruara në fund të vitit”, thotë Alberti.
Ai tregon se, shpeshherë, në mungesë të ndonjë familjari që të kujdeset për vajzën, ajo mbetet e vetme në shtëpi.
“Një ditë më ka ndodhur ta marr në punë. Një ditë e ka marrë bashkëshortja. Një ditë tjetër ka ndodhur të vijë dikush tjetër të rrijë me të në banesë gjatë ditës. Herë pas here edhe vetë, kështu…”, thotë Alberti, i cili punon në Ministri të Arsimit.
Alberti dhe Anita kanë edhe një fëmijë tjetër, Almirin, por ai ndjek mësimet në një shkollë fillore private në Prishtinë.
Institucionet private të arsimit nuk janë të prekura nga greva – vetëm ato publike.
Alberti shfaq shpresën që grevës t’i gjendet zgjidhje, në të kundërtën thotë se pasojat më të mëdha do t’i bartin fëmijët.
Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike në Kosovë janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët.
Qeveria këmbëngul që mësimi duhet të fillojë pa vonesa, duke thënë se Projektligji për paga, që parasheh rritje, pritet të dalë në miratim së shpejti.
Në grevë, nga 25 gushti, janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civil në institucione lokale dhe qendrore.
Një takim shpresëdhënës midis Këshillit Grevist dhe Qeverisë u mbajt më 13 shtator, por nuk prodhoi ndonjë marrëveshje.
“Mund të them se takimi ishte përmbajtjesor, por, për momentin, nuk kemi asnjë ndryshim. Qeveria vazhdon të mbajë qëndrimin për deklaratat rreth pakos, ne vazhdojmë të jemi zë i sektorit publik me kërkesat tona”, tha anëtari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për media pas takimit.
Kryeministri Albin Kurti, i cili mori pjesë në takim, përsëriti thirrjen e tij për hapjen e shkollave. “Nuk bën bojkot e grevë shtetit”, tha ai.
Dështimi i këtij takimi ishte dëshpërues për Fitore Hajrullahun, djali i së cilës, Nuari, tetë vjeç, mbetet po ashtu larg bankave shkollore.
Nuari është në klasën e tretë në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë.
Fitorja thotë se, bashkë me burrin e saj, mundohen ta mbajnë djalin vazhdimisht të angazhuar në mësime apo detyra të ndryshme, por thotë se nëse greva vazhdon për kohë të gjatë, pasojat për të do të jenë të mëdha.
“Shprehinë e punës është shumë vështirë ta mbash te një fëmijë tetëvjeçar, në qoftë se greva do të stërzgjatet, sepse është tepruar… marrë parasysh edhe pushimin veror, që është pushim i gjatë, sepse janë dy muaj e gjysmë në pyetje. E tash edhe një muaj po kalon, do të thotë tre muaj e gjysmë janë në pyetje. Janë shumë për cilindo fëmijë”, shprehet Fitorja për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se as grevistët, as autoritetet qeveritare nuk po tregojnë seriozitet.
“Ata [grevistët] kanë të drejtë të kërkojnë rritje të pagave, marrë parasysh pagat e ulëta dhe rritjen e inflacionit. Por, kjo [greva] është dashur të parandalohet, e jo të vihet deri te një situatë e tillë”, thotë Fitorja, e cila punon në Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike.
Ditë më parë, Këshilli i Prindërve i Kosovës u bëri thirrje prindërve që t’i marrin librat në shkollë dhe të fillojnë të punojnë vetë me fëmijët e tyre.
“Kjo është rrugë më e vështirë, e për disa prindër gati e pamundur, por është zgjidhja e urtë e mbrojtjes së fëmijëve tanë, pa lënduar askënd”, u tha në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Për një marrëveshje të shpejtë midis grevistëve në arsim dhe Qeverisë thërrasin edhe në organizatën “EdGuard”, që mbulon fushën e arsimit në Kosovë.
Arbisa Shefkiu, hulumtuese pranë kësaj organizate, thotë se vazhdimi i grevës prek në veçanti nxënësit që fillojnë klasën e parë, si dhe ata të klasës së nëntë që më pas i nënshtrohen testit të maturës.
“Pasojat do t’i kemi edhe më afatgjate. Në rezultatet e testit PISA dhe në raportet e tjera ndërkombëtare do të shihen edhe më hollësisht”, thotë ajo.
Përveç fëmijëve, Shefkiu thotë se greva dëmton edhe vetë sektorin publik të arsimit.
“… sepse, [disa] prindër mund të mos i dërgojnë fëmijët në sektorin publik dhe të drejtohen në sektorin privat. Kjo i bie që vetë mësimdhënësit po e keqësojnë situatën, në të cilën jemi”, thotë Shefkiu.
Në dy teste të PISA-s – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës.
Banka Botërore, në një raport të publikuar në vitin 2020, ka vlerësuar se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.
Ekspertë të fushës së arsimit thonë se në mësimnxënie ka ndikuar edhe pandemia e koronavirusit, pasi gjatë dy vjetëve të parë të saj, më 2020 dhe 2021, nxënësit kanë kaluar në mësim online, apo nga distanca, në disa periudha të ndryshme kohore.
Në Kosovë ka pasur edhe më herët greva nga mësimdhënësit. E fundit ka qenë në vitin 2019, kur gjysmëvjetori i dytë i mësimeve ka nisur me tri javë vonesë nga pakënaqësia e mësimdhënësve me Ligjin për paga./REl