Bashkë me pandeminë e koronavirusit që e ka përfshirë botën, ka pasë edhe një nxitje të rritjes globale të laboratorëve që trajtojnë viruse të rrezikshme – pavarësisht shqetësimeve që pikërisht COVID-i mund të ketë qenë rezultat i eksperimenteve të rrezikshme.
Më shumë se 40 objekte të çertifikuara si niveli i biosigurisë 3 (BSL-3) ose BSL-4 ose janë ndërtuar ose kanë hyrë në ndërtim që nga viti 2020, kryesisht në të gjithë Azinë.
Eksperimentet në këta laboratorë, përfshijnë ndërhyrje me viruset e kafshëve për të avancuar trajtimet dhe vaksinat që mund të përdoren në rast të një shpërthimi të ardhshëm të virusit, raporton Daily Mail, transmeton Klankosova.tv.
Në lidhje me këtë ka pasë shqetësime se pikërisht këto eksperimente mund të rrisin rrezikun e pandemive, diçka që disa ekspertë besojnë se ishte rasti edhe me COVID.
Virusi filloi të përhapet fillimisht nga një treg në Wuhan, rreth tetë milje nga Instituti i Virologjisë në Wuhan (WIV), një biolab i sigurisë së lartë që punonte me koronaviruset e rrezikshëm të lakuriqëve të natës.
Profesor Paul Hunter, një ekspert për sëmundjet infektive në Universitetin në Angli, tha për DailyMail se ishte i shqetësuar se për çfarë do të mund të përdoreshin të gjithë laboratorët e rinj.
“Çështja është se për çfarë do të përdoren laboratorët, tha ai. “Nëse ato janë për qëllime diagnostikuese, atëherë këta laboratorë na nevojiten. Por, nuk mendoj se çdo vend ka nevojë për një BSL-4”.