Ajo që nisi si një tentativë për dorëheqje, që më pas u bë tentativë për shkarkim, siç edhe ndodhi, u konkretizua ditën e djeshme; Gledis Nano, i riu shumëpremtues që erdhi një vit më parë në krye të strukturës policore dje ka lënë zyrën.
Ai ia ka dorëzuar atë personit që i qëndroi në krah për rreth 9 muaj si drejtues i sektorit të Antikrimit, por që në fakt krimi në kohë e tyre nuk pati asnjë lloj uljeje, por shënoi shifra të frikshme, kryesisht atentatesh. Pas masakrave të njëpasnjëshme, Nano tentoi të bënte një provë, duke zëvendësuar pasuesin e tij aktual me Neritan Nallbatin, edhe ky një emër i njohur dhe punonjës i vjetër në radhët e Policisë, por sërish asgjë nuk ndryshoi në kriminalitetin në vend.
U tha se ministri i Brendshëm i kërkoi një dorëheqje Gledis Nanos, sidomos pas një mori ngjarjesh të rënda kriminale, ose të paktën kjo ishte edhe ajo çka u formulua nga vetë ministri publikisht para kamerave, por pa nxjerrë ndonjë tekst urdhri, në të cilin dëshmohet se është kryer akti i shkarkimit të ish-kryepolicit të vendit, një prej ekspertëve më të mirë në vend për sa iu përket problemeve me terrorizmin.
Të dhënat që pasuan përplasjen polici-ministri treguan se në fakt Gledis Nano kishte refuzuar të jepte dorëheqjen, një akt që ai e tha edhe publikisht: “As nuk kam dhënë dorëheqje dhe as nuk kam ndërmend të dorëhiqem”. Por përplasja, që sipas zyrtarit të qeverisë është për mospërmbushje objektivash, bëri që ditën e djeshme Çuçi të nxirrte publikisht emrin e Tonin Vocajt si i komanduar në vendin e Nanos.
Shkarkimi sipas Çuçit
“Shkarkimi i Gledis Nanos lidhet me mospërmbushje të objektivat në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit. Për momentin detyrat do t’i nënshtrojë drejtori i Policisë. Puna do jetë e gjithanshme, ngjarjet e ndodhura kanë qenë arsyeja që Policia kërkon një reagim dhe një menaxhim më efikas”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në një dalje para mediave.
Ai ia kaloi përgjegjësinë krejtësisht kryepolicit të propozuar prej vetë atij për situatën kriminale në vend, ndërsa dy ditë më parë ai doli publikisht duke falënderuar Policinë për dy operacionet për kapjen e turkut të shumëkërkuar dhe për arrestimin e vrasësit të vëllait dhe kunatës.
Në atë dalje, Çuçi la të kuptohej se ishte vendosur në krye të Policisë së Shtetit dhe se Gledis Nano nuk do të ishte më në krye të kësaj strukture. Në fakt, duke iu referuar të dhënave të një mori ngjarjeve të rëndë kriminale, me sfond të frikshëm mafioz, të disa prej tyre, jo vetëm Policia, por asnjë institucion nuk ka dalë të japë një deklaratë, në të cilën të qartësoje opinionin publik se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh.
Shkarkimi i Nanos për mospërmbushje objektivash, ndërkohë që asnjëherë nuk u bënë me dije se cilat ishin objektivat konkrete të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, duket e pabesueshme nga një pjesë e mirë e opinionit publik, ndërkohë që nuk është bërë me dije se në çfarë detyre do të vendoset ish-drejtori i Policisë, si zyrtari me gradën më të lartë në polici, ekuivalente me postin e zëvendësministrit. Kjo lëvizje duket se ka qenë e paramenduar nga shefi i qeverisë, Edi Rama, dhe ministri i Brendshëm, Çuçi, të cilët, sapo mbaroi mbledhja e Këshillit të Ministrave, morën pjesë në takimin për bastet online.
Në këtë tryezë me përfaqësues të sportit nuk ishte thirrur Gledis Nano si drejtor i policisë, por i komanduari Tonin Vocaj. Megjithatë, që prej mëngjesit të së mërkurës, Gledis Nano është paraqitur në punë si zakonisht. Sipas burimeve, ai ka qëndruar në zyrën e tij deri pas mesditës, kur aty ka mbërritur Tonin Vocaj pas aktivitetit në Kryeministri.