Qindra protestues e policë u përleshën në Shangai të dielën në mbrëmje, ndërsa protestat mbi kufizimet e ashpra të Kinës lidhur me koronavirusin hynë në ditën e tretë dhe u përhapën në disa qytete të tjera të vendit.
Vala e mosbindjes civile nuk është parë në Kinë që nga ardhja në pushtet e presidentit Xi Jinping një dekadë më parë, ndërsa vazhdon të rritet zhgënjimi ndaj politikës së tolerancës zero ndaj koronavirusit, gati tre vjet pas fillimit të pandemisë. Masat kufizuese kundër Covid-19 ndikuar rëndë ekonominë e dytë më të madhe të botës.
“Unë jam këtu sepse e dua vendin tim, por nuk e dua qeverinë time … dua të jem në gjendje të lëviz lirisht, por nuk mundem. Politika jonë mbi COVID-19 është një lojë dhe nuk është e bazuar në shkencë ose realitetin”, tha një protestues në qendrën financiare të quajtur Shaun Xiao.
Protestuesit gjithashtu dolën në rrugë në qytetet e Wuhan dhe Chengdu të dielën, ndërsa studentët në konviktet e shumta universitare në Kinë organizuan protesta gjatë fundjavës.
Në orët e para të së hënës në Pekin, dy grupe protestuesish me një total prej të paktën 1000 njerëzish u mblodhën përgjatë Unazës së Tretë të kryeqytetit kinez pranë lumit Liangma, duke refuzuar të shpërndahen.
“Nuk duam maska, duam liri. Nuk duam teste të Covid-19, duam liri”, thërriste njëri nga grupet e protestuesve.
Protestat janë përhapur në të gjithë Kinën që kur një zjarr vdekjeprurës në një apartament në qytetin veriperëndimor të Urumqit ngriti shumë pikëpyetje mbi masat e ashpra kundër koronavirusit.
Që nga e premtja protestat po mbahen në të gjithë vendin. Protestat në rrugë janë jashtëzakonisht të rralla në Kinë.
Në Shangai demonstruesit kërkuan dorëheqjen e udhëheqësit kinez Xi Jinping ndërsa nderuan në heshtje viktimat e një zjarri në qytetin Urumqi.
Protestat u shoqëruan me thirrjet “Poshtë Partia Komuniste Kineze! “Poshtë Xi Jinpingu!”
Turmat e njerëzve mbanin në duar fletë të bardha në shenjë proteste kundër censurës dhe bënin thirrje për liri ndërsa mbaheshin nën vëzhgim nga një grup i madh forcash të sigurisë.
Dëshmitarët thanë se gjatë protestës ata dëgjuan gjithashtu thirrje si “Hiqni masat kufizuese në Urumqi, Xinjiang, dhe në të gjithë Kinën!”.
Zjarri i së enjtes që shkaktoi vdekjen e 10 personave në një ndërtesë shumëkatëshe në Urumqi, kryeqyteti i rajonit të Xinjiangut, ka shkaktuar zemërim të gjerë publik. Shumë përdorues të internetit thanë se banorët nuk arritën të shpëtohen në kohë sepse ndërtesa ishte pjesërisht e mbyllur për shkak të masave kundër Covid-19. Zyrtarët e qytetit e kanë mohuar këtë gjë.
Pekini po vazhdon të zbatojë politikën e tolerancës zero ndaj COVID-it, megjithëse pjesa më e madhe e botës i ka hequr masat kufizuese të lidhura me pandemisë dhe po përpiqet të bashkëjetojë me koronavirusin.
“Ju fitoni para dhe nuk e keni përjetuar papunësinë. Po ne çfarë të bëjmë?! Kanë kaluar tashmë tre vite”, thërriste një protestuese.
Ndonëse rastet me COVID në Kinë janë më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të botës, në ditët e fundit ato janë rritur në nivele rekord. Autoritetet kineze njoftuan të dielën se një ditë më parë janë regjistruar rreth 40,000 infeksione të reja me Covid-19./Voa
Burimi: GAZETA.MK