Holanda dhe Argjentina do sfidojnë njëra-tjetrën pas tetë vitesh. Në Botërorin Brazil 2014, kombëtarja albiceleste triumfoi me penallti përballë skuadrës tulipane dhe siguroi kalimin në finalen e madhe ndaj Gjermanisë.
Dy Kombëtaret do të ndeshen në çerekfinalet e Katar 2022 të premten (20:00).
Portieri titullar i Holandës, Andries Noppert e pranon se sfida mund të zgjasë 120 minuta dhe të shkojë te penalltitë, por një gjë e tillë nuk e tremb, madje beson se mund t’i presë penallti edhe Leo Messit.
“Unë jam gjithmonë i përgatitur për penalltitë. Edhe Messi mund të dështojë nga pika e bardhë, e pamë ndaj Polonisë. Ai përdor gjithmonë të njëjtën këmbë për të goditur penalltitë. Sigurisht që edhe unë mund t’ia pres atij penalltinë.
Argjentina? Unë kam mbrojtjen më të mirë përpara meje, kështu që nuk shqetësohem shumë në lidhje me ndeshjet që do të luajmë. Objektivi im është të fitoj Kupën e Botës me Holandën”, deklaroi portieri 28-vjeçar, i cili po luan për herë të parë në një Kupë Bote.