“Porti i Durrësit s’mund të falet!”, Flet kreu i Konfindustrisë: Projekti pa leverdi, po vritet konkurrenca!

November 24, 2022
min lexim

Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustrisë, i kujton qeverisë se porti i Durrësit është një pasuri kombëtare dhe jo i një grushti njerëzish që mund ta shfrytëzojnë atë si të duan për interesat e tyre.

Buxhuku e quan të rëndë nëse deputetët do të miratojnë sot në Kuvend marrëveshjen për projektin e portit. Sipas tij, ky është një projekt pa leverdi ekonomike për shqiptarët. Buxhuku thotë për gazetën “Panorama” se nuk duhet të miratohet nga Kuvendi që nesër të mos ulim kokën me turp për vendimin e sotëm.

Sipas kreut të Konfindustrisë, më parë duhet të kryhet studimi i fizibilitetit, fakti nëse projekti ka leverdi ekonomike dhe garanci ligjore. Në rast të kundërt, shprehet Buxhuku, Shqipëria rrezikon të humbasë ose të zhvlerësojë ndjeshëm një nga përparësitë kryesore strategjike konkurrenciale afatgjata të saj si industria e transportit detar të mallrave, duke favorizuar portet e tjera të rajonit në Greqi, Malin e Zi, etj.

Z. Buxhuku, pse kaq shumë i debatuar politikisht projekti i portit të Marinës në Durrës?

Në parim, asnjë ide-projekt ekonomik nuk mund të kundërshtohet ose të pranohet “apriori” dhe vetëm, sepse është propozim i njërës ose palës tjetër politike. Do të ishte e papranueshme dhe e dëmshme për zhvillimin e vendit. Ajo, që duhet të përcaktojë, nëse vlen apo jo një projekt, aq më shumë kaq i rëndësishëm si ai i shndërrimit të Portit të Durrësit, është vetëm vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike dhe financiare parë interesin publik në afatgjatë.

Pra ajo, që e quajmë projekt i plotë profesional i bërshmërisë/fizibilitetit si kusht parësor për të përligjur vendimin për ngritjen ose jo të kartonëve të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Nëse, projekti i portit të Marinës së Durrësit përligj ekonomikisht interesin e publikut është i mirëseardhur. Me bindje mund të thuhet, se potencialet e tij të mëdha janë të pashfrytëzuara në drejtimin e sektorit të industrisë turistike.

Është e lehtë të kuptohet edhe me sy të lirë, se kalatat e mineraleve nuk mund të rrinë në mes të qytetit turistik. Por, vendimi duhet të jetë prodhim i analizave shumëpërmasore dhe jo me sy ose më keq verbërisht. Sepse, bëhet fjalë për një pasuri kombëtare, që duhet shfrytëzuar në përfitimin m të madh të mundshëm të të gjithë shqiptarëve dhe jo një grushti të tyre. Aq më pak të falet.

Cila është sipas jush leverdishmëria ekonomike e projektit të portit të Durrësit?

Pikërisht, kjo është edhe pika më e brishtë e marrëveshjes dhe projektit. Sinqerisht, nuk jam në gjendje ta vlerësoj. Mbështetur në të dhënat e paraqitura deri më tash nga përfaqësuesit e palës shtetërore, shikoj me shqetësim, se nuk kemi një projekt ekonomik dhe financiar të mirëfilltë dhe të plotë. Pamjet e bukura 3D, disa shifra të përgjithshme investimesh të pambështetura mjaftueshëm me garanci financiare dhe ligjore të investitorëve, marketingu i shfrenuar deri qesharak me emra individësh, që qëllimisht i ngatërrojnë me kompanitë ku janë të punësuar si dhe shtetesh të pasura, janë shumë pak për të bindur në dhjetëvjeçarin e 3-të të shekullit të 21 profesionistët, opinionin publik dhe para së gjithash deputetët jo ushtarë. Mbase, mund të mjaftonin në shekullin e kaluar. Shkurt, kërkohet që të miratohet nga deputetët një marrëveshje kaq e rëndësishme në Kuvend pa projekt leverdishmërie i vërtetë. Kjo është e rëndë.

Çfarë i mungon projektit ekonomik të portit të Durrësit?

Ka shumë për të thënë në këtë drejtim. P.sh., pjesë të domosdoshme, por të munguara të quajtur “projekt fizibiliteti” duhet të jetë përfshirja jo vetëm e kostos dhe kohës së ndërtimit të portit të ri të Durrësit, por edhe humbjet financiare, që do t’i shkaktohen ekonomisë kombëtare nga flukset e munguara të trafikut dhe rritja e mundshme e kostove të përpunimit të mallrave të gjithë sektorëve industrialë dhe bizneseve. Këto vlerësime thelbësore mungojnë dhe kjo është krejt e papranueshme.

Në këtë rast, çfarë rrezikon Shqipëria…?

Shqipëria rrezikon të humbasë dhe/ose të zhvlerësojë ndjeshëm një nga përparësitë kryesore strategjike konkurrenciale afatgjata të saj si industria e transportit detar të mallrave, duke favorizuar portet e tjera të rajonit në Greqi, Malin e Zi, etj. Gjithashtu, rrezikohet drejtpërdrejtë zhvleftësimi i financimeve të mëdha të derisotme të kryera në infrastrukturën rrugore, që kanë pasur portin e Durrësit si shtyllë mbështetëse fizibiliteti.

Vlerësojmë, se vetëm në rrjetin rrugor të autostradave nga Shqipëria dhe Kosova janë kryer 5-6 miliardë euro investime të deritashme. Ngrihet pyetja, nëse Shqipëria do të ketë industri strategjike portuale konkurruese të mallrave apo do të kemi vetëm porte turistike? Dhe cilat do të jenë në këtë rast përfitimet dhe humbjet për ekonominë, qytetarët dhe bizneset?

Cilat janë anët e paqarta në projektin e portit të Marinës së Durrësit? A do të ketë përfitime financiare?

Po përqendrohem shkurt në anën e disa prej përfitimeve financiare të shpallura të projektit, që mund të kenë nevojë për plotësime dhe sqarime. P.sh., investitori privat merr përsipër në rastin më të mirë më pak se 6% të vlerës së investimit të pretenduar prej 2.1 miliard $ dhe vetëm gjysmën e tyre të garantuar në fillim.

Ndërkohë, që shteti shqiptar nga përjashtimet fiskale në taksa dhe tatime i bën kompanisë koncesionare, faktikisht kontribuon me mbi 11% të investimit. Pa përmendur vlerën e truallit portual prej 80 ha me vlerë tregu të sotëm shumë të lartë. Pavarësisht kontributeve të mësipërme të sigurta dhe prekshme, që në castin e parë të krijimit të kompanisë koncesionare, përfiton diku te 32% të aksioneve si edhe një përfitim imagjinar total në 20 vjet nga dividenti, që duke vlerësuar amortizimin në kohë të parasë nuk e kalon 100 milion $! Ndërkohë, vetëm kosto e portit të ri të mallrave të Durrësit, që do të duhet të ndërtohet, është në shifrat nga 600-2 miliardë euro dhe mos harrojmë, që trualli prej të paktën 80 ha e Portit të Durrësit është privatizuar përfundimisht në favor të privatit koncesionar, që në çastin e kalimit të marrëveshjes dhe themelimit të shoqërisë. Shtetit shqiptar në çdo rast i mbetet vetëm t’u drejtohet gjykatave ndërkombëtare me humbje të sigurt, nëse nuk parashikohet në marrëveshje rrugëdalje tjetër ligjore.

Ndërkohë, kompania koncesionare ka filluar shitjet e apartamenteve ende pa u miratuar marrëveshja në Kuvend…

Nëse, kjo është e vërtetë vë në pikëpyetje ligjshmërinë demokratike të vendimmarrjes të institucionit më të lartë të shtetit, Kuvendit të Shqipërisë. Shpresoj, që nuk është e vërtetë! Por, meqë po flasim për shitjen e apartamenteve në një projekt ku trualli dhe gjithë ngarkesa fiskale janë të falura, kemi të bëjmë me prishje të qartë të konkurrencës në treg. Kompanitë e ndërtimit, që në raste të ngjashme paguajnë deri në 30- 40 % të vlerës së investimit, truallin, si dhe kanë ngarkesë të plotë tatimore, janë në kushte tërësisht të pandershme.

Nuk e di si mbrohet një rast i tillë në Kuvendin e Shqipërisë, Autoritetin e Konkurrencës ose në Gjykatën Kushtetuese. Sepse, në të dyja rastet ndërtime po bëhen dhe shiten në thelb! Investitori “strategjik” i portit të Durrësit nuk ka asnjë ndryshim nga qindra ndërtuesit e tjerë vendorë. Por, praktika e deritashme e përfitimeve me ligj nëntokat më të mira të falura nga shteti për një grup individësh “strategjikë” është bërë rrugë, rrugë që vret konkurrencën, shkatërron ekonominë kombëtare, qytetarët dhe vetë demokracinë shqiptare.

Sot, pritet të miratohet në Kuvend marrëveshja e portit. Cili është mesazhi juaj për deputetët…?

Kuvendi i Shqipërisë të mos miratojë marrëveshjen e portit të Durrësit pa u njohur dhe vlerësuar paraprakisht leverdishmërinë ekonomike të projektit, parë nga këndvështrimi i interesit publik. Gjithashtu, kërkohet përfshirja e garancive ligjore, të domosdoshme në rastin e mosplotësimit të pritshmërive financiare dhe/ose shkeljeve të mundshme të marrëveshjes nga koncesionari. Kaq e thjeshtë është dhe kaq pak kërkohet, që nesër të mos ulim kokën me turp për vendimin e sotëm.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Volejbollistja e Skënderbeut: Do jetë një betejë e madhe për ta

Story i radhës

50 vjet drejshkrim: Lëshimet e medias së Shqipërisë, i imitojmë si të jenë gjuhë standarde!

Të fundit nga

ShkoLartë