Porositë e treshes europiane nuk arrijnë te Mickoski: “Nuk thanë se do të izolohemi, por se do të vonohet procesi”

Edhe pse dje shefi i diplomacisë austriake, Aleksandër Shallenberg në konferencë për media me ministrin Osmani, dërgoi porosi të qartë se nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese kjo do të thotë prolongim i rrugës drejt BE-së, ndërsa me këtë Maqedonia mund të përballet me rrezikun që të izolohet, Mickoski thotë se një gjë e tillë nuk është thënë. Sipas tij, thjesht do të ketë prolongim të procesit. Mickoski dje kishte takim me tre ministrat e Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë.

“Ndryshimi i Kushtetutës nuk është kriter për izolimin e Maqedonisë. Nga ana tjetër nga të njëjtët tre ministra mora pohime se në asnjë moment nuk e kanë thënë fjalën izolim, por kanë thënë se do të ketë vonim të procesit. Ndërsa vonim të procesit do të ketë, përkatësisht “delay” në gjuhën angleze, askund nuk kanë përmendur izolim, do të ketë vonim të procesit për shkak se Qeveria e Kovaçevskit ka nënshkruar marrëveshje nën diktatin bullgar”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase thotë se kushdo që kundërshton mundësinë që Maqedonia të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Europian do të mbajë përgjegjësi politike.

“Çdo parti, çdo politikan, që e kundërshton këtë plan, do të mbajë përgjegjësi historike për dështimin eventual të tij. Jam i sigurt se kemi kohë të mjaftueshme deri në nëntor për të bindur të gjithë grupin ose një pjesë të grupit parlamentar të votojnë për këtë propozim, sepse mundi është  shumë i madh për ta humbur këtë shans. Zgjedhje të parakohshme mund të ketë vetëm nëse opozita pranon të votojë për ndryshimet kushtetuese dhe pastaj shpallim zgjedhje të parakohshme”, tha Bojan Mariçiq,  zëvendëskryeministër për Çështje Europiane.

Para hyrjes në procedurë parlamentare të nismës për ndryshimet kushtetuese, që pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme, këto ditë është intensifikuar ofensiva diplomatike me mesazhe për të mos dalë pengesë në rrugën drejt BE-s. Tre ministra të jashtëm, ai i Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë dje nga Shkupi dërgon mesazhe të qarta për ndryshimet kushtetuese. Javën e ardhshme në të njëjtin mision do të vijnë edhe tre ministra për Evropën, ai nga Gjermania, nga Franca dhe nga Polonia.

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Presidenti Erdoğan me shpresë për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave të Detit të Zi

Story i radhës

Putin thirr urgjentisht Këshillin e Sigurisë për çështjen e mbrojtjes së objekteve kritike

Të fundit nga