Skuadra e San Antonio Spurs ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin veteran të NBA, Gregg Popovich. 74-vjeçari amerikan drejton ekipin e Spurs që prej vitit 1996 dhe do të vijojë ta kryejë këtë detyrë edhe për 4 sezone të tjera.
Pra, Popovich do të vijojë të jetë trajneri i San Antonio deri në moshën 78-vjeçare.
Gjatë karrierës së tij të gjatë me këtë ekip, ai ka fituar 5 tituj kampionë në NBA (1999, 2003, 2005, 2007, 2014) dhe është konsideruar si një nga më të mëdhenjtë në histori.
Sipas ESPN, Gregg Popovich do të përfitojë 80 milionë dollarë për katër sezonet në vijim si trajner i San Antonio, duke u bërë aktualisht trajneri më i paguar.
Ai është zgjedhur 3 herë në karrierën e tij si trajneri më i mirë i sezonit.
Dy vite më parë ai fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” si trajner i kombëtares amerikane. Në karrierën e tij ai ka drejtuar vetëm ekipin e San Antonio dhe me kontratën e re ai do të jetë mbi 30 vite në stolin e Spurs.