Raportet për trupat e grupit “Wagner” që planifikojnë të kryejnë stërvitje ushtarake me ushtrinë bjelloruse pranë kufirit polak kanë shkaktuar alarm tek Polonia, transmeton Anadolu.
“Presim provokime ruse, kjo është arsyeja pse shërbimet polake po punojnë vazhdimisht. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se, për shembull, sjellja e disa mijëra ushtarëve të ‘Wagner’-it në Bjellorusi është kërcënim për vendin tonë”, tha për “Radio One” ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës ushtarake bjelloruse (HUR), rreth 700 mercenarë nga grupi “Wagner” mbërritën në Bjellorusi deri dje. Në të njëjtën ditë, 100 automjete të tjera të grupit hynë në Bjellorusi.
Blaszczak tha se Komiteti për Çështjet e Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes ka diskutuar mbi rreziqet dhe vendosi të transferojë njësitë ushtarake nga perëndimi i Polonisë në qytetet Biala Podlaska dhe Lolno në rajonin lindor të vendit.
Më 13 korrik, zv/ministri i Punëve të Brendshme i Bjellorusisë, Nikolai Karpenkov, raportoi se grupi “Wagner” mund të përfshihej në trajnimin e forcave speciale bjelloruse.
Disa ushtarë të grupit “Wagner” erdhën në Bjellorusi në fund të qershorit pas revoltës së kreut të grupit, Yevgeny Prigozhin. Fotografitë satelitore të 30 qershori tregojnë tenda pranë qytetit Asipovichy, duke sugjeruar se një kamp i grupit “Wagner” mund të ndërtohet atje.