Kombëtarja polake e basketbollit u kualifikua në çerekfinale të Eurobasketit, falë fitores me rezultat 94:86 (24:21,18:24, 27:22, 25:19) ndaj Ukrainës.
Në një ndeshje shumë të barabartë, të dyja kombëtaret patën momente loje të mirë, kaluan në epërsi herë njëra dhe herë tjetra dhe në fund fitorja shkoi në anën e Polonisë, e cila bëri një avantazh kyç në pjesën e fundit të ndeshjes dhe kështu arritën në çerekfinale, ku e pret Sllovenia, e cila dje mposhti më shumë seç pritej Belgjikën.
AJ Slaughter i udhëhoqi polakët drejt fitores me 24 pikë, pesë kërcime dhe katër asistime, ndërsa Mateusz Ponitka shtoi 22 pikë me nëntë kërcime dhe gjashtë asistime. Aleksander Balcerowski e përfundoi ndeshjen me 14 pikë dhe tre kërcime, ndërsa dyshifror shënoi edhe Michal Sokolowski me 13 pikë dhe pesë kërcime.
Për Ukrainën, Vyacheslav Bobrov shënoi 15 pikë me katër kërcime, Artem Pustovyi dhe Issuf Sanon e përfunduan ndeshjen me nga 13 pikë, ndërsa Sviatoslav Mykhailiuk shtoi 12 pikë me tetë kërcime dhe katër asistime. Dyshifror shënoi edhe Ivan Tkachenko me dhjetë pikë dhe dy kërcime.