Po shohim policë pothuajse në çdo rrugë, e me prezencën e shtuar të tyre në trafik është rritur edhe numri i gjobave. Nëse llogarisim gjobën më të ulët në trafik, atë prej 30 eurosh, i bie se muajin e kaluar në buxhetin e shtetit janë derdhur 1 milion e 407 mijë euro. Nuk dihet nëse të gjithë qytetarët i kanë paguar gjobat, por gjithsesi ato do të paguhen dikur.
Policia e Kosovës ka thyer rekord sa i përket shqiptimit të gjobave në trafik në muajin janar të këtij viti. Në statistikat e policisë dhënë Gazetës Express, bëhet e ditur se në janar janë shqiptuar 46 mijë e 904 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik. Apo rreth 20 mijë gjoba më shumë sesa në janar të vitit 2021. Në total në janar të vitit 2021 ishin shqiptuar 27 mijë e 115 gjoba të trafikut.
Nëse këto gjoba i përkthejmë në euro, duke llogaritur gjobën më të ulët 30 euro, i bie se në janar të këtij viti janë përfituar 1.407,120 euro nga gjobat, ndërsa në janarin e vitit 2021 janë grumbulluar të paktën 813,450 euro nga gjobat. Por, siç e kemi parë shumica e gjobave janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë, ku për këtë kundërvajtje në trafik shoferi mund të gjobitet me qindra euro.
Policia e Kosovës nuk ka qenë kurrë më aktive në trafik sesa në këta muajt e fundit, por këtë e sheh si siguri rrugore dhe masë preventive për uljen e numrit të aksidenteve, Nol Deda, ekspert i çështjeve rrugore.
“Shtimin e policëve në trafik e shikoj si siguri rrugore, si masë preventive për sigurinë rrugore. Policia duhet me pas edhe planin e veprimit në secilën ditë dhe secilën muaj. E dimë se rripi i sigurisë, shpejtësia, janë disa elementge që duhet të jenë në planin e policisë për 12 muaj…Janë shenja se policia është kative në rrugë dhe është duke marrë masa preventive për parandalimin e aksidenteve”, tha Deda për Gazetën Express.
Sipas tij, nga rreth 47 mijë gjoba të shqiptuara në janar të këtij viti, rreth 80% janë për tejkalim të shpejtësisë
“Nga këto 47 mijë gjoba, rreth 80% janë për tejkalim të shpejtësisë, kjo i bie se kemi shpëtu edhe aksidente me fatalitet”, tha tutje Deda.
Ai tha se gjoba më e ultë është ajo prej 30 eurosh për parkim të automjeteve në vendet ku ndalohet parkimi i tyre, teksa më e larta shkon 500-600 euro, por edhe deri në 900 euro për tejkalim të shpejtësisë nën ndikim të alkoolit.
“Gjoba më e ultë është për parkim 30 euro dhe më e larta për tejkalimin e shpejtësisë diku deri në 300-500 euro. Po edhe gjoba për tejkalim nën ndikim të alkoolit është më e larta, por ligji mbi rregullat e trafikut ka pësuar ndryshime sa i përket dhënies së gjobave”, u shpreh Deda më tej.
I pyetur se pse këtë muaj ka gati dyfish më shumë gjoba të shqiptuara sesa në muajin janar 2021, ai tha se kjo gjë ka ndodhur për shkak të pandemisë. Pasi thotë se vitin e kaluar masat kanë qenë më të rrepta dhe qarkullimi i automjeteve ka qenë më i vogël.
“Janë kundërvajtje të ndryshme dhe policia ka qenë më aktive. Vitin e kaluar kemi qenë në pandemi, ky është elementi kryesor. Ne kemi numër më të madh të aksidenteve për shkak se lëvizja e automjeteve nuk ka qenë e sanksionuar sikur vitin e kaluar në janar. Numri i aksidenteve varet nga numri i qarkullimit të automjeteve. Nëse e bëjmë krahasimin e statistikave, është absurde sepse pandemia ka ndiku direkt, pandemia e ka ulë numrin e aksidenteve dhe kufizimi i lëvizjes së automjeteve”.
Policia e Kosovës tha për Express se kemi numër më të madh të gjobave të cilat janë të ndryshme dhe shqiptohen varësisht kundërvatjeve që bëhen.
“Vërehet se ka shtim të angazhimeve policore në teren dhe numër më të madh të gjobave, të cilat janë të ndryshme varësisht nga shkeljet/kundërvajtjet e kryera”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se komplet vitin 2020 janë shqiptuar 359 mijë e 956 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, teksa komplet vitin 2021 janë shqiptuar 483 mijë e 477 gjoba, apo mbi 123 mijë gjoba më shumë sesa në 2020-ën.
Policia e Kosovës apelon te shoferët e automjeteve që të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë.
“Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në apelin e policisë./express