Policia turke ka zhvilluar një operacion në sheshxhirimin e serialit “Ateş Denizi” (Deti i Zjarrit), i cili po realizohet për TRT në ambientet e Fabrikës Beykoz Kundura. Gjatë operacionit është ndaluar aktori kryesor, Erdem Kaynarca, i cili interpreton rolin e Nezih.
Sipas informacioneve, efektivët e policisë mbërritën në set në kuadër të një hetimi lidhur me substanca të ndaluara. Fillimisht ata iu drejtuan aktorit, i cili po përgatitej për xhirimet në dhomën e tij. Më pas, Kaynarca u shoqërua jashtë dhe automjeti i tij iu nënshtrua kontrollit.
Kontrolli i makinës nuk zbuloi asnjë element të dyshimtë, megjithatë aktori u dërgua në degën e Antidrogës në Halkalı për procedura të mëtejshme. Si pasojë e incidentit, xhirimet e serialit u pezulluan për një javë.
Sipas informacioneve të fundit, pas marrjes në pyetje dhe kryerjes së analizave të flokëve dhe gjakut, Erdem Kaynarca u lirua nga autoritetet. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndaj aktorit është ngritur ndonjë akuzë zyrtare, ndërsa hetimet lidhur me rastin vijojnë.
Burimi: botasot.info


