3
Tetovë, 8 janar – “Nëse, sipas nevojave, ky sektor duhet të ketë 2000 të punësuar, për momentin ka 1000 të punësuar dhe ne kur bëjmë presion për të dalë në terren, ata vazhdimisht ankohen për mungesë të policëve. Prandaj, vlerësoj që miratimi i Ligjit për pushtet lokal dhe ndryshimet e ligjit ku parashihet policia lokale do ta zgjidhë një problem që ka të bëjë me ingerencat që janë të ndërlidhura mes policisë dhe komunës”, tha Bilall Kasami i Tetovës.
Eliminimi i kaosit në komunikacion, dëmtimi i pronës publike dhe shqiptimi i gjobave për parkim pritet që të gjejë zgjidhje me themelimin e “policisë komunale”. Zakonisht përplasjet mes pushtetit qendror dhe atij lokal kanë qenë për sa i përket kompetencave të ndara në mënyrë strikte. Në këtë rast, pushteti lokal ka shumë pak ingerenca në sferën e shqiptimit të gjobave, mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së komunikacionit. Prandaj, pushtetet lokale presin që me miratimin e Ligjit të ri për vetëqeverisje lokale, të kenë më shumë kompetenca, ndërsa ankesat më të mëdha janë se aktualisht, Sektorët për Punë të Brendshme nuk kanë mjaftueshëm numër të policëve për të asistuar kur ftohen nga pushtetet vendore.
Në këtë drejtim, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pret që policia komunale jo vetëm që do të zgjidhë problemin e kaosit në komunikacion, por do të zgjidhë edhe shumë probleme tjera.
“Në këtë drejtim mendojmë se kjo do ta plotësojë edhe mungesën e policëve të uniformuar, sepse në bazë të komunikimit të vazhdueshëm me Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë, ata kanë mungesë kronike për të punësuar. Nëse, sipas nevojave, ky sektor duhet të ketë 2000 të punësuar, për momentin ka 1000 të punësuar dhe ne kur bëjmë presion për të dalë në terren, ata vazhdimisht ankohen për mungesë të policëve. Prandaj, vlerësoj që miratimi i Ligjit për pushtet lokal dhe ndryshimet e ligjit ku parashihet policia lokale do ta zgjidhë një problem që ka të bëjë me ingerencat që janë të ndërlidhura mes policisë dhe komunës. Kjo ka të bëjë edhe me parkimin edhe me qarkullimin, ka të bëjë edhe me eliminimin e objekteve që janë pa leje në komunë të Tetovës”, deklaroi kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
Ministri i Pushtetit Lokal, Zllatko Perinski, thotë se ka ende disa gjëra që planifikohen të përshtaten në Ligj, para së gjithash, siç tha ai, ideja është që Ligji të përshtatet sipas kushteve moderne të jetesës. Sipas tij, me formimin e “policisë komunale” pritet të mbrohen investimet publike, që sipas tij, dëmtohen dhe askush nuk merr përgjegjësi.
“Përballemi me probleme të përditshme, pajisjet urbane të investuara nga pushteti vendor shkatërrohen dhe më pas mbeten krejtësisht të pambrojtura. Prandaj ne mendojmë se Ligji për veprimtari komunale, i cili është në kompetencë të një ministrie tjetër, duhet të ripërpunohet dhe përshtatet në drejtim të sigurisë më të madhe të ruajtjes së atyre investimeve në infrastrukturë nga vetëqeverisjet lokale dhe synimi ynë është të njihet policia komunale në Ligjin për vetëqeverisje lokale që në të ardhmen të parandalojmë situata të tilla devijuese”, tha kohë më parë ministri Perinski. Ndonëse disa herë është premtuar se Ligji i ri për vetëqeverisjen lokale do të miratohet, megjithatë assesi të vendoset në rend dite para deputetëve.
BURIMI: zhurnal.mk