Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e operacioneve të zhvilluara gjatë kësaj jave në vend.
Këtë javë janë arrestuar disa të kërkuar në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, ku bie në sy ndalimi i autorit të masakrës së Çoles, Ani Begaj.
Gjithashtu vihet re ndërmarrja e një numri të madh masash administrative ndaj përdoruesve të mjeteve, mbi 15 mijë të marra në të gjithë vendin në vetëm 7 ditë.
BILANCI I POLICISË:
Përkushtim dhe punë profesionale nga të gjitha strukturat e Policisë, në të gjithë vendin. Dhjetëra operacione të zhvilluara, bashkëpunime me partnerët ndërkombëtarë, kontrolle dhe monitorime në çdo skaj të territorit, me qëllimin e vetëm, luftën pa kompromis ndaj çdo fenomeni kriminal, në çfarëdo forme të shfaqjes së tij.
Vijon puna, nga të gjitha strukturat e Policisë, në çdo skaj të vendit, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurtë dhe të qetë. Gjatë kësaj jave ka nisur patrullimi intensiv nga shërbimet e Policisë, në plazhe, si dhe është finalizuar operacioni policor “Bregdeti i lirë”, si rezultat i të cilit u liruan hapësira publike në zonën e Porto Romanos, të zëna në mënyrë të kundërligjshme, me 400 komplete me çadra dhe shezlongë. Po në këtë kuadër, Policia Kufitare e Shëngjinit u erdhi në ndihmë 7 pushuesve që kishin mbetur në det të hapur, me një pedalon.
Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albania me strukturat homologe, në kuadër të operacioneve “Double” dhe “Member”, u vunë në pranga 3 shtetas në kërkim ndërkombëtar, për vepra penale në fushën e narkotikëve. Në kuadër të operacionit “Chasing”, pas disa minutash ndjekjeje nga Policia e Vlorës, u kap dhe u vu në pranga Ani Begaj, i dënuar me 35 vjet burgim për vrasje të dyfishtë, si dhe u arrestua 26-vjeçari që e shoqëronte dhe e ruante me armë.
Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 491 shtetas, nga këta: 122 janë arrestuar, 346 janë proceduar penalisht dhe 23 janë shpallur në kërkim.
Janë kapur në total 45 persona në kërkim, nga të cilët: 40 në kërkim kombëtar dhe 5 në kërkim ndërkombëtar.
Janë zhvilluar 28 operacione policore, të koduara: “Double”, “Member”, “Room”, “Flagranca”, “Stacioni i fundit”, “Kantieri”, “Circle”, “Tufina”, “Phones, “Snare”, “Shëtitësit”, “Kroi i Madh”, “Bregdeti i lirë”, “Action”, “Over”, “Silence”, “Chasing”, “Vilza”, “Kudhësi”, “Road Guard 30”, “Loading”, “Linja”, “Gimaj”, “Corner”, “Grizë”, “Informaliteti”, “Basti i fundit” dhe “Perimetri 180”.
Operacioni “Grizë” / Fier – Zbulohen dhe shkatërrohen 2 ambiente me lëndë narkotike; sekuestrohen 208 gramë heroinë, 17.5 kg kanabis në proces tharjeje, 1448 fara kanabis, 3 granata difensive dhe ofensive, 2 armë gjahu pa leje dhe 391 fishekë luftarak; vihen 2 shtetas në pranga, shpallen në kërkim 2 të tjerë;
Operacioni “Gimaj” / Shkodër – Kultivonin kanabis në ambient të hapur, vihen në pranga 2 shtetas; Sekuestrohen dhe asgjësohen bimët narkotike, sekuestohen edhe një armë zjarri automatik dhe municion luftarak;
Operacioni “Kroi i Madh”/ Krujë- Sekuestrohen rreth 3.7 kg kanabis në formë boçeje dhe bimë kanabisi të kultivuara; vihen në pranga 2 shtetas;
Operacioni “Linja” / Lezhë – Drogë e përpunuar si çokollatë, nga Tirana në drejtim të Tropojës, me autobus; bllokohet autobusi; sekuestrohen 15 pako me kanabis në formë çokollate; vihet në pranga drejtuesi i autobusit;
Operacioni “Tufina” / Tiranë – Shpërdoruan detyrën dhe ushtruan ndikim të paligjshëm, për një sërë shërbimesh publike, vihen në pranga 8 shtetas, shpallen në kërkim 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë, bashkëpunëtorë të njëri-tjetrit;
Operacioni “Flagranca” / Tiranë – Sekuestrohen 3 armë zjarri, krehra, municion luftarak dhe një palë dylbi; vihen në pranga 2 shtetas, procedohet penalisht një tjetër.
Si rezultat i kontrolleve masive, operacioneve dhe goditjeve nga DVP-të në qarqe, janë sekuestruar lëndë narkotike kanabis dhe heroinë, fara, fidanë dhe bimë kanabis, 2 peshore elektronike, shuma të konsiderueshme parash, të përfituara nga veprimtaria kriminale, dylbi, 7 automjete dhe 30 aparate celulare.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 11 raste dhe janë sekuestruar 9 armë zjarri, 5 armë gjahu, 3 granata, 4 thika, dorezë, shkop bejsbolli, shufër metalike dhe municion luftarak.
Janë goditur 3 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 49 raste të dhunës në familje.
Janë evidentuar dhe goditur 20 raste të krimeve mjedisore, 4 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 26 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 20 raste.
Janë evidentuar dhe goditur 4 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas.
Policia Rrugore/Vijon monitorimi, në të gjitha akset rrugore të vendit, duke përdorur flotën e re të automjeteve të pajisura me teknologjinë bashkëkohore, makinat inteligjente, Poliscan-in, dronin “edukues”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Gjatë kësaj jave janë pezulluar 415 leje drejtimi, nga të cilat: 300 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 65 për drejtim mjeti, nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 50 për qarkullim në sens të kundërt.
Janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, nga këta: 20 për drejtim mjeti, në gjendje të dehur dhe 28 për drejtim mjeti, pa leje drejtimi.
Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 6 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.
Janë vendosur 15.469 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia Kufitare/Angazhim e përkushtim për përballimin me sukses të fluksit shumë të lartë në pikat e kalimit kufitar, në kuadër të sezonit turistik. Gjithashtu, vijojnë kontrollet me teknologjinë bashkëkohore europiane, për mjetet lundruese dhe argëtuese që përdoren gjatë sezonit turistik. Kontrolle të shtuara edhe në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimeve të tjera ndërkufitare.
Gjatë kësaj jave janë kapur 13 shtetas në kërkim, nga të cilët 11 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.
Janë goditur 13 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe 2 të tjerë, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Gjithashtu, janë goditur 2 raste të mitëdhënies dhe 1 rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të vijuar operacionet policore dhe bashkëpunimin me qytetarët, partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për jetën dhe pronën e qytetarëve.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.