Trajneri i sapoemëruar i Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mauricio Pochettino, ka vendosur një synim të madh për skuadrën e tij: ta fitojë Kupën e Botës.
Ish-trajner i Tottenham Hotspur dhe Paris Saint-Germain, në një konferencë për shtyp pas marrjes së detyrës, ka thënë se besimi është thelbësor për të realizuar qëllime të mëdha.
“Duhet të besojmë se mund të fitojmë. Jo vetëm një ndeshje, por të fitojmë Kupën e Botës. Duam që lojtarët të mendojnë këtë që ditën e parë”, ka thënë Pochettino, duke theksuar rëndësinë e ambicieve të larta për suksesin.
SHBA pritet të jetë një nga bashkëorganizatorët e Kupës së Botës 2026, së bashku me Meksikën dhe Kanadanë, dhe Pochettino beson se kjo mund t’i motivojë lojtarët.
Argjentinasi është zgjedhur nga Federata e Futbollit të SHBA-së pas shkarkimit të trajnerit Gregg Berhalter, me të cilin skuadra pati paraqitje të dobëta në Copa America.
Pochettino gjithashtu ka bërë të qartë se do të jetë i hapur për çdo lojtar, pavarësisht se ku luan. “Çdo lojtar që është kudo në botë, do ta ndjekim me vëmendje. Dyert janë të hapura për ta… nëse performojnë, ne do të jemi aty për t’i parë”, është shprehur ai.
Burimi: botasot.info