Edhe më tej mbetet e paqartë çështja e ligjit për përdorimin e gjuhëve, pasi kreu i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski paralajmëroi shfuqizim të mundshëm të këtij ligji, ose ta lë në zbatim por me disa intervenime në rregullore. Kostadinovski paralajmëroi se gjykata do të sjellë vendim të argumentuar e ky vendim tha se mund të shkaktojë edhe pakënaqësi. E pakënaqësitë vetëm se kanë dalë në sipërfaqe edhe pse deri te seanca e kushtetueses ka kohë edhe një muaj. Mos e prekni gjuhën shqipe ishte reagimi i parë i Frontit Europian sa i përket këtyre paralajmërimeve. Shtuan se këto tema e kthejnë vendin para Marrëveshjes së Ohrit.
I pyetur për këtë, zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, u shpreh se iniciativa nuk ka të bëjë me shfuqizim të ligjit por vetëm me përmirësimin e disa neneve. Mexhiti nuk dëshiron të përzihet në punën e gjykatësve, por thotë se nga afër do ta përcjellin vendimin, me shpresë që e njëjta të mos krijojë destabilizim.
E këto deklarata të Mexhitit, nga BDI i konsiderojnë si skandaloze dhe si tentim mbrojtje të deklaratave të Kostadinovskit. Nga BDI mohojnë të kenë gisht në punën e gjykatës, ndërsa rikujtojnë se Kostadinovski është zgjedhur gjykatës nga ish-presidenti Gjorge Ivanov, e si kryetar u zgjodh nga Qeveria aktuale.
Presupozimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga ana e kryetarit të saj është presion politik mbi gjykatësit, konsiderojnë nga BDI. Nëse ndodhë që ligji të shfuqizohet, do të ishte goditja e rradhës që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, legjitimitetit etnik, barazisë dhe marrdhënieve ndëretnike, thonë nga atje.
Ndaj deklaratave të BDI-së reagoi vet Izet Mexhiti. Nëse kryetari Kostadinovski është i VMRO-së, atëherë të kujt janë gjashtë anëtarët tjerë të gjykatës kushtetuese, pyet Mexhiti.
Përndryshe, një tjetër çështje për të cilin pritet të diskutojë Kushtetuesja më 18 shtator është edhe balancuesi.
Burimi: tv21